AKTUALITET

Analiza/ Andi Bushati: Trajtimi i Veliajt njësoj si Berisha i ka bërë socialistët të ulin kokën

19:12 - 24.11.26 GSH Gazetar
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Turbullimi i ujrave brenda partisë socialiste, që nuk ka fuqi të ngrejë as dallgë e jo më të bëhet cunam transformues, po e ushqen prej ditësh publikun me cic- mice të vogla. Një herë bëhet lajm operacioni këmbës së thyer të Veliajt, një tjetër pengimi i avokatit të tij për të hyrë në burg, më pas përjashtimet nga forumet të Spiropalit apo Ndrecës dhe  ata pak zëra që nuk ishin dakord me këtë masë.

Në këtë rokopujë mardhëniesh, më tepër personale sesa institucionale, janë harruar dy kërkesa që kryetari i burgosur i bashkisë së Tiranës i ka drejtuar asamblesë së partisë së tij dhe më pas grupit parlamentar. E para ka të bëjë me një mocion kundër Edi Ramës, të cilin Veliaj e përshkruan si të pa aftë për ta rerformuar PS-në duke e akuzuar si hakmarrës, të lidhur me të fortët dhe që e sundon partinë përmes frikës dhe një grushti besnikësh. As më pak, as më shumë, ai bëhet e para figurë e lartë nga radhët e rilindjes që kërkon të hapë publikisht siparin e diskutimit për periudhën post Rama.

Së dyti, si i burgosur, Veliaj i ka kërkuar ish kolegëve dhe shokëve të tij të mbledhin firmat  dhe të ngrejnë një komision parlamentar që do të shqytronte modalitetet e arrestimit, trajtimit të tij në burg dhe më pas pretendimin se gjendet aty si pasojë e një goditje politike të iniciuar nga vetë kryeministri.

Natyrisht që shumëkujt këto kërkesa mund ti duken të ekzagjeruara dhe absurde. Edhe vetë personalisht, ashtu si plot kritikë të hershëm të Lalit, apo kundërshtarë të tij, të mësuar me truket mashtruese që ai është i aftë të prodhojë në çdo çast, mund të mendoja se ato nuk duhen marrë seriozisht, pasi nuk burojnë nga një shqetësim i sinqertë.

Por, për Partinë Socialiste, forumet e saj, saltelitët mediatikë që sillen rreth tyre, Erion Veliaj ka përfaqësuar një ikonë krejt të ndryshme nga ajo që vizatonim ne kritikët apo kundërshtarët e tij. Ai ishte përfaqësuesi i brezit të ri, modern, që fitoi tre herë mandatin, super man-i i 16 mijë votave, njeriu i një milionë pemëve, virtuozi që i shtru rrënjët e PS në botën e show bizit, i përkëdhëluri i mediave, mëtuesi për pasardhës. Pra, ndaj tij nuk pijnë më ujë justifikimet e përdorura deri më tani kundër PD-së, se nuk debatojmë në mocione me përfaqësuesit e qeverisë së vjetër, që shqiptarët e larguan me 1 milionë shuplaka, apo nuk ngrejmë komisione hetimore të kërkuara nga non grata.

Por, në fakt edhe me Veliajn pushteti po sillet me të njëjtat metoda që ka aplikuar ndaj Berishës. Edhe opozitës i janë rrefuzuar sistematikisht lëvizjet për mocion me debat kundër kryeministrit apo për komisione parlamentare si ato për çarterat e Ramës, aferën e McGonigal etj. Edhe kërkesat e kryebashkiakut të burgosur janë injoruar me të njëjtën shpërfillje nga të vetët.

Natyrisht askush nuk priste që PS-ja të shkarkonte Ramën me mocionin e nisur nga burgu, apo të fajësonte atë për mbajtjen e Veliajt në qeli përmes një komisioni hetimor. Ama të paktën marrjen në shqyrtim, diskutimin e propozimeve ia kishin borxh atij që për një dekadë ia sërvirën publikut si numrin dy të organizatës së tyre. Asgjë e tillë nuk ndodhi.

Pikërisht këtu, sado të kundërta të duken, pavarësisht se njëri për PS është “djalli i zi” dhe tjetri mbetet model suksesi, historia e Berishës dhe e Veliajt bashkohen një pikë, në atë që na vlen për të kuptuar se në këtë vend demokracia është asgjesuar. Se hapsirat e saj nuk janë mbyllur vetëm për rivalët politikë, por edhe për vetë familjen politike. Se pavarësisht nëse konsiderohesh “armik” ose “shok” ti je njësoj i përjashtuar nga të drejtat që të jep në letër sistemi ku pretendojmë se jetojmë.

Këto dyer të mbyllura, këtë tkurrje të lirive nuhatën përpara Lalit apo Mamicës ata dhjetra mijra njerëz që u derdhën në bulevard gjysëm viti më parë. Në emër të këtij alarmi ata kërkuan një “Shqipëri të re” që mos ishte më pronë e një njeriu të vetëm. Por edhe ndaj tyre përgjigjja qe e njëjtë: injorim, tallje, etiketime si fashistë, që përfunduan më pas tek gjobat, arrestimet dhe dhuna kafshërore.

Kjo është gjëja që në fakt ka ndryshuar në Shqipëri. Nëse deri pak muaj më parë, pasqyrën e vetme për të parë autokracinë e Ramës kishim opozitën dhe kritikët e tij tradicionalë, këtej e tutje kjo mundësi është trefishuar. Për këtë sot shërbejnë edhe sjellja ndaj protestës por edhe qasja ndaj përplasjeve në partinë e tij.

Së bashku ato po dëshmojnë se ky regjim i ka mbyllur të gjitha valvulat e shkarkimit, pëmes të cilave një sistem demokratik zgjedh të shfryjë tensionet e tij të brendshme. Edhe tallja dhe injorimi i kërkesave të Veliajt është një episod i vogël, që konfirmon të njëtën tezë: atë se rrugët racionale për zgjidhjen e kontradiktave janë të gjitha të bllokuara. Prandaj për ditë e më shumë po fiton terren i vetmi obsion që ka mbetur në lojë: ai i përplasjes.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.