Shkolla Digjitale fiton çmimin “Biznesi më Përkrahës i Vitit”

Shkolla Digjitale u vlerësua për nismën përmes së cilës solli edukimin falas për inteligjencën artificiale te mbi 30 mijë nxënës dhe 700 mësimdhënës të shkollave publike të Prishtinës.
Shkolla Digjitale u shpall fituese e çmimit “Biznesi më Përkrahës i Vitit” më 24 nëntor, në ceremoninë e Çmimeve të Vullnetarizmit 2026, të organizuar nga TOKA, Organizata Kosovare për Talent dhe Arsim.
Çmimin bashkëthemeluesit të Shkollës Digjitale, Darsej Rizaj, ia dorëzoi Alexis Hupin, zëvendësudhëheqës i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë. Në fjalimin e tij, Hupin veçoi bashkëpunimin me Komunën e Prishtinës, përmes të cilit Shkolla Digjitale solli edukimin për inteligjencën artificiale drejtpërdrejt në klasat e shkollave publike.
Përmes këtij programi, nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e dymbëdhjetë mësuan se si funksionon inteligjenca artificiale dhe si ta përdorin atë në mënyrë të përgjegjshme. Nisma përfshiu edhe trajnime falas për mësimdhënësit.
Në realizimin e programit u angazhuan 16 instruktorë dhe nëntë vullnetarë. Hupin theksoi se vullnetarët fituan përvojë praktike në mësimdhënie, ndërsa tre prej tyre u punësuan më pas me kohë të plotë në Shkollën Digjitale.
“BE-ja është krenare që mbështet nisma që krijojnë mundësi për të rinjtë dhe ndihmojnë në ndërtimin e një Kosove më gjithëpërfshirëse, vendi i së cilës është në BE”, tha Hupin, sipas një publikimi të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.
E themeluar në Prishtinë në vitin 2015, Shkolla Digjitale ofron programe të edukimit teknologjik për fëmijët dhe të rinjtë e moshës 8 deri në 18 vjeç. Ajo përditëson rregullisht kurrikulën në përputhje me zhvillimet teknologjike dhe i përfshin risitë në projektet që nxënësit realizojnë gjatë procesit mësimor.
Përmes bashkëpunimeve me institucionet publike, Shkolla Digjitale synon të vazhdojë të mbështesë komunitetin me nisma që zgjerojnë qasjen në edukimin teknologjik.
Një fragment nga fjalimi i Alexis Hupin dhe momenti i pranimit të çmimit mund të ndiqen në videon nga ceremonia.
































