Spanja drejt kutive të votimit, Pedro Sánchez kërkon mbijetesën politike përballë konservatorit Feijóo dhe të djathtës ekstreme

Qytetarët spanjollë do t’u drejtohen kutive të votimit të dielën në zgjedhjet e përgjithshme, ku kryeministri socialist Pedro Sánchez synon të sigurojë një mandat të ri duke shmangur ofensivën e konservatorëve të qendrës së djathtë dhe të ekstremit të djathtë. Rivali i tij kryesor është lideri i Partisë Popullore, Alberto Núñez Feijóo, ndërsa kreu i partisë ultranacionaliste Vox, Santiago Abascal, synon të kthehet në faktorin vendimtar për krijimin e një koalicioni të djathtë qeverisës.
Pedro Sánchez (Partia Socialiste), mbijetesa politike mes rritjes ekonomike dhe hetimeve
Në krye të qeverisë spanjolle që prej vitit 2018, 54-vjeçari Pedro Sánchez është një nga liderët me mandatin më jetëgjatë në Evropë. Me formim ekonomisti dhe një profil të spikatur ndërkombëtar, ai ka mbajtur qëndrime të forta kritike ndaj presidentit amerikan Donald Trump, luftës SHBA-Izrael kundër Iranit dhe operacioneve ushtarake izraelite në Gaza, duke ruajtur njëkohësisht politika pro-emigracionit në kundërshtim me valën anti-emigrante në Perëndim.
Nën drejtimin e tij, Spanja ka regjistruar ritmet më të larta të rritjes ekonomike ndër ekonomitë e mëdha evropiane, por kjo nuk ka mjaftuar për të zbutur pakënaqësinë e qytetarëve lidhur me krizën dhe rritjen e kostove të strehimit.
I njohur për manovrat e tij të guximshme elektorale – siç ishte shpallja e zgjedhjeve të parakohshme në vitin 2023 që i siguroi një koalicion të majtë – Sánchez përballet këtë herë me sfidën e hetimeve për korrupsion që përfshijnë një ish-ministër, zyrtarë të lartë të partisë dhe bashkëshorten e tij (e cila mohon çdo akuzë). Fati i tij do të varet ngushtësisht nga aftësia e partive të vogla të majta për të mos humbur vota.
Alberto Núñez Feijóo (Partia Popullore): Administratori i përmbajtur i qendrës së djathtë
65-vjeçari Alberto Núñez Feijóo paraqitet para votuesve si një administrator i moderuar, efektiv dhe i paprekur nga skandalet. I ardhur nga radhët e administratës publike, ai drejtoi për 13 vite rajonin e Galicisë – një krahinë me traditë të fortë në nxjerrjen e liderëve politikë spanjollë.
Programi i Feijóo-s fokusohet në uljen e taksave dhe shkurtimin e rregulloreve qeveritare. Ndonëse ndan me Sánchezin një qasje të fortë pro-Bashkimit Evropian, një fitore e tij pritet të sjellë riparimin e marrëdhënieve diplomatike të Madridit me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin. Pasi nuk arriti ta rrëzonte Sánchezin në zgjedhjet e mëparshme, Feijóo mbështetet këtë herë te struktura e fortë organizative e Partisë Popullore në Madrid dhe zonat rurale.
Santiago Abascal (Vox): Syri te ministritë në një koalicion të djathtë
Me origjinë nga Rajoni Bask dhe i formuar politikisht në kundërshtim me dhunën e grupit separatist ETA, 50-vjeçari Santiago Abascal u largua nga Partia Popullore në fund të vitit 2013 për të themeluar partinë e ekstremit të djathtë Vox. Ai përfaqëson rrymën populiste të djathtë: mbron hapur Izraelin, kundërshton agjendat progresiste, feminizmin dhe politikat klimatike, fajëson emigracionin për rritjen e kostos së jetesës dhe shpreh hapur admirimin për presidentin argjentinas Javier Milei.
Që nga rikthimi i demokracisë në Spanjë në vitin 1975, e djathta ekstreme ka mbetur jashtë ekzekutivit. Pas rënies që pësoi në vitin 2023, Vox synon një rimëkëmbje të dielën, me shpresën për t’u bërë pjesë e kabinetit qeveritar si partner i vogël i Feijóo-s.
Roli vendimtar i partive të vogla dhe rajonale
Në një garë që parashikohet e ngushtë, rezultati mund të përcaktohet nga forcat e vogla politike në të dyja krahët e spektrit.
Në krahun e djathtë votuesit që e konsiderojnë Vox-in tepër të moderuar mund të anojnë drejt lëvizjes radikale “Se Acabó la Fiesta” (Festa Mbaroi), e drejtuar nga një influencues i rrjeteve sociale.
Në krahun e majtë përçarjet e brendshme penguan krijimin e një koalicioni të unifikuar progresist. Kështu, “Frente Amplio” (Fronti i Gjerë) dhe “Podemos” (Ne Mundemi) do të garojnë veçmas, duke rrezikuar copëzimin e votave që i duhen Sánchezit për të qeverisur.
Partitë rajonale, formacionet tradicionale në Katalonjë, Vendin Bask, Galici dhe Ishujt Kanarie pritet të jenë sërish përcaktuese në negociatat paszgjedhore për krijimin e shumicës parlamentare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



