Policia nuk lejon qytetarët të protestojnë paqësisht para Kryeministrisë

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 24.11.2026, 19:40

Edhe në protestën e 178-të, qytetarët që kanë dalë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të kërkuar largimin e qeverisë Rama dhe kundërshtuar klasën politike 36-vjeçare janë përballur me ndërhyrjen e forcave të Policisë.

Efektivët kanë krijuar një formacion përpara demonstruesve dhe kanë nisur t'i shtyjnë, duke i larguar nga hapësira e rrugës dhe duke i zhvendosur në trotuarin përballë Kuvendit. Qytetarët kanë kundërshtuar këtë veprim, ndërsa Policia nuk i ka lejuar të qëndrojnë në vendin ku po zhvillonin protestën.

Por protesta paqësore është një e drejtë kushtetuese. Neni 47 i Kushtetutës garanton lirinë e tubimeve paqësore dhe pa armë, ndërsa qytetarët kanë zgjedhur të dalin në rrugë për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj qeverisë dhe për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Aktivisti Rei Sulejmani ka publikuar një video nga momenti i ndërhyrjes, ku shprehet se Policia po i largon protestuesit nga njëri trotuar në tjetrin, sikur hapësira përpara Kryeministrisë të mos ishte edhe e qytetarëve.

“Ne kemi një formacion policor për të na larguar nga njëri trotuar në tjetrin. Sepse mesa duket trotuari te Kryeministria është trotuari i Ramës dhe trotuari ku do të rrijë populli është ky përballë. Policia do të vijë të shtyjë dhe do të bëjë presionet e veta, sepse 28 Nëntori është i panegociueshëm, i pandryshueshëm, i pashmangshëm dhe do të jetë formacioni më i madh popullor që ka parë ndonjëherë Shqipëria në një protestë paqësore”, shprehet Sulejmani.

Ndërkohë, protesta e radhës është paralajmëruar për të shtunën, më 28 nëntor, në Ditën e Flamurit. Organizatorët kanë bërë thirrje për një pjesëmarrje masive, duke ftuar edhe shqiptarët e Diasporës që t'i bashkohen protestës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit