Oerd Bylykbashi nuk do të jetë më drejtues politik i Partisë Demokratike në qarkun e Durrësit. Lajmin e ka bërë të ditur vetë ai, gjatë një takimi në foltoren e Durrësit, ku konfirmoi se rreth një javë më parë ka dorëzuar detyrën te kryetari i PD-së, Sali Berisha.
Bylykbashi u shpreh se vendimi është marrë me bindjen se largimi i tij nga kjo detyrë do t’i hapë rrugë përtëritjes dhe zgjerimit të forcave të Partisë Demokratike.
“Kjo është hera e fundit që ju flas si drejtues politik i qarkut të Durrësit. Kam dorëzuar detyrën rreth një javë më parë kryetarit të partisë, sepse mendoj se vetëm në këtë formë mund ta çojmë përpara përtëritjen dhe shumëfishimin e forcave tona.
Kemi vetëm një rrugë, rruga jonë kalon përmes moralit dhe parimeve. Në 19 vite kam marrë leksione të jashtëzakonshme nga Berisha; një ndër ta ishte: ‘Qëndro i palëkundur në parime!’. Me këtë jemi përballur gjithë këto vite.
Edhe kur oferta dhe presioni kanë qenë të jashtëzakonshme në këtë kryeqytet, sidomos gjatë zgjedhjeve të fundit në bashkinë e dytë më të madhe në vend, ne nuk bëmë kompromis dhe dhamë rezultatin që doli. Me këtë devizë ne do të fitojmë zgjedhjet e ardhshme”, tha ai.













