Nga futbolli amator në Itali, te skena evropiane me Hearts në Skoci. Historia e shqiptarit Sabah Kerjotës është një dëshmi se këmbëngulja dhe besimi në vetvete mund ta ndryshojnë jetën e një futbollisti brenda një momenti.

Sulmuesi shqiptar, i lindur në Shkodër dhe i transferuar në Itali në moshën 16-vjeçare, ka kaluar një rrugë të gjatë për të arritur në nivelin ku ndodhet sot.


Nga Serie D, ku zhvilloi pjesën më të madhe të karrierës së tij, ai tashmë luan në Scottish Premiership, është pjesë e Hearts dhe ka shijuar edhe paraqitjet në Ligën e Konferencës. Së fundmi, Kerjota mori edhe ftesën e parë nga Kombëtarja e Shqipërisë.

Në një intervistë për GianlucaDiMarzio.com, 25-vjeçari ka rrëfyer rrugëtimin e tij, përshtatjen në futbollin skocez, emocionet që po përjeton në Edinburg dhe ëndrrën për të luajtur një ditë në Serie A.

Nga Serie D te ëndrra skoceze

Kerjota iu bashkua Hearts në verën e vitit 2025. Pas një periudhe përshtatjeje, ai arriti të bëhej një futbollist i rëndësishëm për skuadrën skoceze. Deri në momentin e intervistës, shqiptari kishte regjistruar 42 paraqitje në të gjitha garat, me tri gola dhe shtatë asistime.

Ai nuk e fsheh kënaqësinë që po përjeton në Edinburg, ku ka mundësinë të luajë në stadiume të njohura dhe përballë skuadrave të mëdha të futbollit skocez.

“Për Edinburgun mund të them vetëm gjëra të mira. Më e bukura është të luash kundër skuadrave të rëndësishme si Celtic dhe Rangers. Për një futbollist, të zbresësh në fushë në Celtic Park apo Ibrox është një ëndërr. E njëjta gjë vlen edhe kur luajmë në shtëpi, në Tynecastle”, ka treguar Kerjota.

Ai kujton edhe sezonin e kaluar, kur Hearts ishte shumë pranë fitimit të titullit kampion, një sukses që do të kishte qenë historik për klubin pas rreth 60 vjetësh.

“Pavarësisht se si përfundoi, ishte një sezon shumë i bukur”, u shpreh sulmuesi shqiptar.

Nga futbolli amator në Itali, pa u dorëzuar

Rrugëtimi i Kerjotës është edhe më i veçantë për shkak të vështirësive që ka kaluar në Itali. Pas transferimit në këtë shtet, ai e nisi karrierën në ligat amatore, fillimisht në Eccellenza e më pas në Promozione.

Një provë e suksesshme te Parma dukej se mund t'ia ndryshonte karrierën, por pandemia COVID-19 ia ndërpreu atë mundësi. Më pas luajti për Anconitana, Montefano, Vigor Senigallia dhe Sambenedettese, duke ndërtuar gradualisht emrin e tij në futbollin italian.

Me mbi 100 paraqitje në Serie D dhe një kampionat të fituar, Kerjota nuk arriti të luante në nivelet profesioniste të futbollit italian. Megjithatë, ai nuk e sheh këtë si arsye për t'u dorëzuar.

“Kam atë pengun që nuk arrita të luaja në nivelet profesioniste në Itali. Kam punuar shumë për të arritur atje. Sigurisht që dëshira për t'u kthyer një ditë në Itali ekziston. Është vendi që e dua, ku i kam të gjithë miqtë e mi. Të luaja në Serie A do të ishte një ëndërr, por sot jam shumë i lumtur te Hearts”, ka deklaruar ai.

Kerjota ka falënderuar edhe klubet që i besuan gjatë karrierës, si dhe agjentin e tij Silvio Pagliari dhe drejtorin sportiv Stefano De Angelis, të cilët, sipas tij, besuan vazhdimisht në potencialin e tij.

Një prej klubeve që ai veçon është Vigor Senigallia, për të cilën thotë se e ka ndihmuar të bëhet futbollisti që është sot.

Përshtatja me futbollin skocez dhe sfidat e mëdha

Kalimi nga Serie D në Scottish Premiership nuk ishte i lehtë. Kerjota tregon se futbolli në Skoci ka një intensitet dhe fizik shumë më të madh, ndaj iu desh të punonte fort për t'u përshtatur.

“Futbolli në Skoci është shumë fizik. Unë vija nga Serie D, nga Sambenedettese. Pavarësisht se luaja në atë klub dhe në atë kategori, ku dukej sikur ishim Real Madridi në Ligën e Kampionëve për nga forca që kishim, m'u desh të përshtatesha me këtë aventurë të re. Nuk mjafton vetëm teknika, duhen edhe fiziku dhe vrapimi. M'u desh të stërvitesha shumë”, rrëfen ai.

Tashmë, për Kerjotën përballjet me skuadrat më të mëdha skoceze janë pjesë e përditshmërisë. Ai ka mësuar ta shijojë atmosferën e stadiumeve dhe mbështetjen e tifozëve të Hearts.

Ftesa e parë nga Shqipëria: Emocion i papërshkrueshëm

Një tjetër moment i rëndësishëm në karrierën e sulmuesit ishte ftesa e parë nga Kombëtarja e Shqipërisë, e drejtuar nga trajneri Rolando Maran.

Kerjota ende nuk ka debutuar me fanellën kuqezi, por e konsideron thirrjen një emocion të veçantë dhe një mundësi që dëshiron ta shfrytëzojë.

“Është një emocion i papërshkrueshëm, vërtet. Nuk di si ta shpjegoj. Ende nuk kam debutuar, por do të bëj më të mirën për t'i shfrytëzuar mundësitë e ardhshme. Jam stërvitur me futbollistë që vetëm disa muaj më parë i shihja në televizor”, ka thënë ai.


Mesazhi për futbollistët që luajnë në ligat e ulëta

Në fund të intervistës, Kerjota ka dhënë edhe një mesazh për futbollistët e rinj, sidomos për ata që luajnë në ligat e ulëta dhe ëndërrojnë të arrijnë në nivelet më të larta.

Ai e di më mirë se kushdo se rruga mund të jetë e gjatë dhe se jo gjithmonë mundësitë vijnë në momentin e duhur.

“Në futboll duhen cilësi dhe fat, por duhet të kesh parasysh edhe lëndimet. Megjithatë, gjithmonë u them miqve me të cilët luaja në Promozione që të mos dorëzohen kurrë”, përfundoi Kerjota.

Nga Shkodra në Itali, nga ligat amatore te futbolli evropian dhe Kombëtarja e Shqipërisë, historia e Sabah Kerjotës është një shembull se si një karrierë mund të marrë drejtim tjetër kur nuk heq dorë nga ëndrra. /Telegrafi/