Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama gjatë “Foltores së Ripërtëritjes” në Durrës, duke paralajmëruar se personat që ai i cilëson si pjesë të bandave kriminale, së bashku me atë që e quajti “Padrino”, do të përballen me drejtësinë.
Gjatë fjalës së tij, Berisha u ndal te zgjedhjet parlamentare të 11 majit, të cilat i cilësoi si farsë elektorale. Sipas tij, procesi u zhvillua në kushtet e një “partie shtet”, ndërsa administrata publike u përdor për të ndikuar te votuesit.
Kreu i PD-së përmendi edhe persona që, sipas tij, kanë ndikuar në procesin zgjedhor dhe kanë lidhje me krimin, duke akuzuar qeverinë për mbrojtjen e tyre.
Berisha renditi një sërë pretendimesh ndaj qeverisë, mes tyre 4 300 aktivitete të zhvilluara gjatë periudhës zgjedhore, arrestimin e drejtuesve të dy partive opozitare, shpërndarjen e 100 eurove për 760 mijë pensionistë gjatë fushatës, si dhe amnistimin e 2.1 miliardë eurove gjoba dhe kamatëvonesa.
Sipas tij, nga kjo masë prekeshin 210 mijë familje dhe 84 mijë biznese. Ai përmendi gjithashtu premtimet për punësime, legalizime dhe certifikata pronësie, duke pretenduar se të gjitha këto masa cenuan barazinë e garës politike.
Berisha vlerësoi qëndresën e demokratëve dhe protestat e zhvilluara nga dhjetori i vitit të kaluar deri në maj, duke theksuar se opozita nuk pranoi të shndërrohej në një forcë politike fasadë.
Duke iu drejtuar të pranishmëve, Berisha kujtoi raportimet e gazetarëve gjatë zgjedhjeve në Durrës dhe akuzoi persona të lidhur me krimin për ndërhyrje në proces. Ai përmendi konkretisht Elvis Troplinin, duke pretenduar se ai ishte i mbrojtur nga shteti.
“Unë u jap fjalën atyre, këtu para jush, fjala fjalë, se vrimë miu në Shqipëri dhe botë nuk do të ketë, por do gjenden kudo që të jenë dhe do vihen para ligjit”, deklaroi Berisha.
Ai përmendi edhe familje dhe grupe të tjera kriminale, duke paralajmëruar se nuk do të mund të intimidojnë më qytetarët. “Jo, jo, kohërat po marrin fund, bashkë me Padrinon e tyre edhe ata do përfundojnë para ligjit”, u shpreh kreu i PD-së.
Më tej, Berisha e cilësoi qëndresën e demokratëve si historike, pasi, sipas tij, ajo pengoi përpjekjet e kryeministrit Edi Rama për krijimin e një opozite fasadë.
“Qëndresa juaj si opozitë e vërtetë ka qenë e një rëndësie historike, sepse ajo bëri të dështojë çdo përpjekje për një opozitë fasadë, siç e donte Edi Rama”, tha ai.
Duke iu referuar raportimeve të vëzhguesve ndërkombëtarë, Berisha rikujtoi edhe përpjekjet për ndarjen e shtetit nga partia në vitin 1991, duke pretenduar se e njëjta çështje mbetet aktuale edhe sot.
“Sepse në kushtet e partisë shtet, zgjedhje nuk ka, ka farsë elektorale. Dhe ne ishim para zgjedhjeve. Pas 35 viteve, vëzhguesit më seriozë ndërkombëtarë shkruajnë në unison në raportet e tyre se në Shqipëri duhet të ndahet partia nga shteti. Dhe kjo është vepra e zezë e Edi Ramës”, deklaroi Berisha.
Në vijim, ai renditi ato që i cilësoi si ndërhyrje të paligjshme në procesin zgjedhor, duke përmendur 4 300 aktivitete gjatë fushatës, arrestimin e drejtuesve të dy partive opozitare dhe ndjekjen penale të një drejtuesi tjetër.
Berisha pretendoi gjithashtu se gjatë fushatës u shpërndanë 100 euro për 760 mijë pensionistë, u amnistuan 2.1 miliardë euro gjoba dhe kamatëvonesa, si dhe u firmosën mijëra dokumente punësimi, legalizimi dhe certifikata pronësie.
“U dekretua mbjellja e 29 mijë hektarëve kanabis. U firmosën me mijëra fletë punësimi, legalizime, certifikata pronësie. Të gjitha këto bënë që komuniteti ndërkombëtar të arrijë në përfundimin se këtu zgjedhjet u zhvilluan nga partia shtet. Pra, ishin farsë elektorale”, tha ai.
Në përfundim, kreu i PD-së vlerësoi protestat e zhvilluara nga demokratët në Durrës dhe në të gjithë vendin, të cilat, sipas tij, nisën në dhjetor të vitit të kaluar dhe vijuan deri në maj të këtij viti.
