Fizikisht s’po arrijnë ta sjellin por një raport e pranuan andaj u mblodhën për diskutim.

Raporti për mungesë të barnave e lista të pritjes u diskutua në Komisionin për Shëndetësi.

Mungesën e barnave që vet ministri Arben Vitia e pati pranuar, drejtori i ShSKUK-së Elvir Azizi e ka mohuar këtë, në raportin që ia ka dorëzuar komisionit.

“Raporti është për gjynah, raporti është për gjynah dhe po me vjen keq që na ka përqesh krejt e sidomos juve që jeni mburojë të një bordi të SHKSKUK-së...”, u shpreh kryetari i komisionit, Uran Ismaili.

Mes kritikave s’munguan as debatet mes pozitës e opozitës veçse krejt jashtë temës që do të duhej të diskutohej.

“Nuk jemi shpezë që krekosemi nëse ti je pulë që krekosesh është diçka tjetër, vizioni yt ndryshon shpesh....”

Debati mes deputetes Reshitaj e Mehollit vazhdoi.

Këtu iu tërhoq vërejtja nga kryetari i komisionit.

“Mos e vazhdoni debatin gjithë jo me këtë parti jo me atë...”, u shpreh Ismaili.

Ndonëse s’është pjesë e këtij komisioni deputeti Arton Konushevci pati debat me Albana Bytyqin e Aleancës.

“Nga ajo që dëgjova deri tash e kam përshtypjen që kolegia foli paraprakisht nuk e ka lexu...”, tha Konushevci.

Prapë debatin deputetët e mazhorancës e patën me kolegen e tyre nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Është shumë jo korrekte se sot me dul në memories se sot nji vjet kemi qenë në një tubim që kemi fol për shendetësi....”

Uran Ismaili, tutje kritikoi edhe drejtorin e ShSKUK-së, Elvir Azizin.

“S’po muj me thirrë Elvir Azizin as unë as bordin nuk po mundem me thirr në komision, jam i pafuqishëm për shkak të votës suaj”.

Në raportin e pranuar nga ShSKUK për shumicën e barnave që vet ministri ka pranuar se ka pas mungesa, furnizimin e kanë paraqitur si 100 përqind pra të plotë.

Në mbledhjen e radhës të komisionit do të diskutohet edhe për rastin e mashtrimit nga Endrit Azemi i cili mblodhi gati 200 mijë euro, duke mashtruar se është i sëmurë me leukemi.