E martë, 24 nëntor 2026 · Tiranë Facebook
Politikë

Sistemi Unik i Gjobave, Dash Sula: Çdo qytetar të informohet për arsyen e gjobës dhe të drejtën e ankimit

Prezantohet Sistemi Unik i Gjobave, një tjetër hap në digjitalizimin e shërbimeve, me synim rritjen e transparencës, llogaridhënies dhe standardizimin e procedurave administrative.

Përmes sistemit të ri, çdo kundërvajtje do të shoqërohet me një numër unik identifikimi dhe një bazë të qartë ligjore, duke mundësuar gjurmueshmërinë e çdo akti.

I pranishëm në aktivitet ishte edhe Inspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, i cili u ndal te rëndësia e transparencës në administrimin e gjobave dhe detyrimet që kanë institucionet për të informuar qytetarët.

Sula theksoi se çdo qytetar apo biznes duhet të ketë informacion të qartë për institucionin që e ka gjobitur, arsyen e vendosjes së gjobës, si dhe mënyrën se si mund ta paguajë apo kundërshtojë atë.

“Prezantimi i sistemit të e-gjobave shënon një hap të rëndësishëm në mënyrën se si institucionet shtetërore administrojnë dhe ndjekin gjobat. Pas çdo gjobe qëndron një institucion dhe një qytetar apo biznes që duhet të ketë informacion të qartë. Qytetari duhet të dijë se nga cili institucion është gjobitur, pse është gjobitur, si mund ta paguajë apo kundërshtojë gjobën.

Institucioni duhet të pasqyrojë saktë dhe në kohë çdo veprim që lidhet me këtë proces. Nga çdo institucion kërkohet angazhim i qartë, të pasqyrojë në kohë pagesat, ankimet dhe vendimet përkatëse. Një pagesë e kryer apo vendim i ndryshuar duhet të pasqyrohet në sistem.

Për drejtuesit, ky regjistër krijon mundësinë për të ndjekur më mirë rezultatet. Regjistri do të mundësojë përgatitjen e statistikave dhe raporteve ditore, javore dhe vjetore. Kështu do të përmirësojmë veprimtarinë e Inspektoratit të Përgjithshëm dhe do të forcojmë përgjegjësinë institucionale”, u shpreh Sula.

Të fundit

Lini një koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *