Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, ka njoftuar dorëzimin e detyrës së drejtuesit politik të PD-së në qarkun e Durrësit.

Lajmin e bëri të ditur vetë Bylykbashi gjatë fjalës së mbajtur në “Foltoren e Ripërtëritjes” në Durrës, ku zbuloi se vendimin ia kishte komunikuar kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, rreth një javë më parë.

Bylykbashi theksoi se largimi nga ky funksion është një hap në shërbim të ripërtëritjes dhe zgjerimit të forcave të Partisë Demokratike.

Ai gjithashtu i uroi sukses personit që do të marrë në vijim drejtimin politik të qarkut të Durrësit, duke nënvizuar se ndryshimi i funksioneve nuk do të thotë tërheqje nga angazhimi politik dhe beteja opozitare.

Në përfundim, ai apeloi që çdo demokrat të vijojë të kontribuojë për Partinë Demokratike, pavarësisht nëse mban apo jo një funksion drejtues në strukturat e saj.

Pjesë nga deklarata:

Dua t’ju bëj me dije se kjo është hera e fundit që ju drejtohem si drejtues politik i qarkut të Durrësit. Rreth një javë më parë ia kam dorëzuar këtë detyrë kryetarit të partisë, sepse mendoj se vetëm në këtë mënyrë mund ta çojmë përpara ripërtëritjen dhe shumëfishimin e forcave tona.

Marrim një detyrë, e çojmë përpara dhe më pas vjen dikush tjetër për ta vazhduar. I uroj kujtdo që do ta marrë këtë detyrë ta çojë Partinë Demokratike drejt fitores në zgjedhjet që kemi përpara.

Ashtu siç thotë edhe himni ynë: ‘Kush largohet nga beteja është tradhtar’. Kështu që, kushdo nga ne, pavarësisht nëse merr apo lë një detyrë, është aty për të luftuar si një ushtar i thjeshtë për nderin dhe suksesin e Partisë Demokratike, të opozitës, të qytetarisë durrsake dhe të të gjithë shqiptarëve anembanë Shqipërisë.

Sigurisht, ajo që do të doja të theksoja është se kemi vetëm një rrugë. Rruga jonë kalon vetëm përmes moralit dhe parimeve. Ne mund të bëjmë çdo lloj kompromisi tjetër, por kompromis me moralin dhe parimet nuk duhet të ketë.

Në 19 vitet që kam punuar ngushtësisht dhe në mënyrë të vazhdueshme me doktor Berishën, nëse do të zgjidhja një nga të gjitha mësimet e jashtëzakonshme, leksionet jo vetëm politike që kam marrë prej tij, do të ishte qëndresa e palëkundur ndaj parimeve.

Ne duhet t’u qëndrojmë këtyre parimeve, sepse vetëm ato na çojnë me kokën lart drejt fitores. Asnjë kompromis mbi parimet dhe moralin! Dhe pikërisht me këtë jemi përballur gjatë gjithë këtyre viteve. Jam i sigurt se do të vazhdojmë në të njëjtën mënyrë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb