Gjykata në Greqi ka dënuar me burgim të përjetshëm shqiptarin Pandeli Nakoleci, i cili vrau bashkëshorten e tij, 36-vjeçaren Marjola Nakoleci, në gusht të vitit 2025, në qytetin e Volosit.
Përveç dënimit të përjetshëm për vrasjen me dashje, gjykata i ka dhënë edhe një vit burg për armëmbajtje dhe përdorim të paligjshëm të armës.
Vendimi u dha nga Gjykata e Jurisë së Përzier në Trikala, e cila e shpalli unanimisht fajtor 41-vjeçarin për vrasje të kryer në gjendje të qetë psikologjike. Sipas mediave greke, gjykata rrëzoi pretendimet e mbrojtjes se krimi ishte kryer në kushtet e një shpërthimi të fortë emocional dhe me përgjegjësi të reduktuar mendore. Po ashtu, nuk u pranua asnjë rrethanë lehtësuese për të pandehurin.
Gjatë procesit gjyqësor, Nakoleci u përpoq të justifikonte veprimin e tij me pretendimin se kishte zbuluar një tradhti bashkëshortore dhe se nuk kishte qenë në gjendje të qetë psikologjike në momentin e ngjarjes. Megjithatë, pretendimet e tij nuk u pranuan nga gjykata.
Sipas raportimeve të mediave greke, seanca gjyqësore u zhvillua në një atmosferë tepër të rëndë emocionale, pasi në sallë ndodheshin edhe katër fëmijët e çiftit, të cilët ndoqën procesin ndaj babait të tyre. Ata nuk shkëmbyen asnjë komunikim me të gjatë seancës.
Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e 22 gushtit 2025, në Volos. Pandeli Nakoleci sulmoi me thikë bashkëshorten e tij, Marjolën, duke e goditur disa herë në pjesë të ndryshme të trupit, përfshirë kraharorin dhe qafën. 36-vjeçarja nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra.
Krimi ndodhi në prani të fëmijëve të çiftit, të cilët tentuan të ndërhynin për të ndaluar të atin. Pas vrasjes, 40-vjeçari u largua nga vendi i ngjarjes dhe u fsheh për rreth 29 orë, derisa u lokalizua dhe u arrestua nga policia greke, rreth 200 metra larg banesës së tij.
Pas arrestimit, ai kishte deklaruar se e kishte vrarë bashkëshorten sepse dyshonte se ajo e tradhtonte. Në vijim, gjatë marrjes në pyetje dhe para gjykatës, shfaqi pretendimin se nuk kishte pasur qëllim ta vriste, por vetëm ta trembte.
Me vendimin e fundit, gjykata i ka dhënë autorit dënimin maksimal për vrasjen e bashkëshortes, duke rrëzuar përpjekjet e mbrojtjes për të përfituar një dënim më të lehtë.













