Maroku kundër vendimit të CAS-it, Federata ngre dyshime të rënda

Maroku kundër vendimit të CAS-it, Federata ngre dyshime të rënda

19:03, 24/11/2026

Federata Mbretërore Marokene e Futbollit nuk e ka pranuar vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS), e cila konfirmoi Senegalin si kampion të Kupës së Afrikës 2025. Përmes një komunikate zyrtare, institucioni maroken ka bërë të ditur se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të kundërshtuar vendimin, duke pretenduar se gjatë procesit kanë ndodhur parregullsi.

Senegali rifitoi zyrtarisht statusin e kampionit të Afrikës këtë të martë, pasi CAS rrëzoi vendimin e Konfederatës Afrikane të Futbollit (CAF), të datës 17 mars, që i kishte dhënë humbjen në tavolinë përfaqësueses senegaleze.

Kështu, u konfirmua rezultati i arritur në fushën e lojës më 18 janar, kur Senegali kishte fituar trofeun, duke siguruar titullin e dytë kontinental në histori.

Megjithatë, vendimi ka shkaktuar reagimin e fortë të palës marokene. Në komunikatën e saj, Federata e Marokut shprehet se kërkesa e paraqitur prej saj nuk është marrë në konsideratë dhe pretendon se disa praktika gjatë procedurës kanë cenuar integritetin dhe besueshmërinë e vendimit.

Një nga pretendimet më të rënda lidhet me një kontakt të dyshuar mes gjyqtarit gjerman, Ulrich Haas, pjesë e trupit gjykues të CAS-it, dhe presidentit të Federatës Senegaleze të Futbollit, vetëm 48 orë përpara shpalljes së vendimit. Sipas palës marokene, kjo situatë ngre pikëpyetje mbi paanshmërinë e organit që shqyrtoi çështjen.

Gjithashtu, Federata Marokene pretendon se CAS nuk ka marrë parasysh udhëzimet më të fundit të Bordit Ndërkombëtar të Futbollit (IFAB) dhe FIFA-s për lojtarët që largohen nga fusha pa lejen e arbitrit. Sipas saj, duhej të zbatoheshin përgjegjësitë dhe sanksionet disiplinore përkatëse.

“Federata Mbretërore Marokene e Futbollit ka vendosur të ndërmarrë të gjitha procedurat e nevojshme ligjore për të kundërshtuar vendimin e CAS-it”, thuhet në përfundim të komunikatës.

Në këtë mënyrë, polemikat për finalen e Kupës së Afrikës 2025 dhe titullin e fituar nga Senegali duket se nuk kanë marrë ende fund.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco