FIFA, tjetër ‘stuhi’ për Infantinon, 39 fluturime private në 115 ditë për rizgjedhjen si president

24/11/2026 20:55

Që nga momenti kur prezantoi planin për shitjen e një pjese të të drejtave të Kupës së Botës, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka udhëtuar vazhdimisht nëpër botë me avionë privatë.

Sipas një analize të BBC Sport, që nga 28 korriku, datë kur lajmi doli në publik, Infantino ka kryer 39 fluturime private, mesatarisht një çdo tri ditë, duke vizituar 32 vende të ndryshme. Sipas të dhënave të publikuara, gjatë një periudhe prej 115 ditësh, ai ka përshkuar më shumë se 102 800 milje ajrore, ndërsa ka kaluar pak më pak se nëntë ditë në fluturim.

Kritikët e kanë akuzuar Infantinon se po shfrytëzon burimet dhe mundësitë që i ofron posti i presidentit për të favorizuar fushatën e tij për rizgjedhje, në votimin që do të zhvillohet në marsin e ardhshëm. Janë ngritur pikëpyetje nëse premtimet e bëra apo mbështetja e ofruar gjatë këtyre vizitave kanë qenë, të paktën pjesërisht, të motivuara nga interesat e tij elektorale. Nga ana e saj, FIFA ka deklaruar se Infantino ka detyrimin statutor për të ruajtur dhe zhvilluar marrëdhënie të mira mes FIFA-s, konfederatave, 211 federatave anëtare, organeve politike dhe organizatave ndërkombëtare.

Megjithatë, numri i vendeve të vizituara është pothuajse dy herë më i madh krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2015, kur Infantino kishte vizituar 18 shtete. Artikulli i parë i publikuar nga gazeta The Times, që zbuloi planin e Infantinos për Kupën e Botës, shkaktoi një valë kritikash në mbarë botën. Pavarësisht kësaj, siç zbulon BBC Sport, shumë vëzhgues e konsiderojnë tashmë Infantinon favorit për t’u rizgjedhur në pranverë, pasi kundërshtarët e tij kanë hasur vështirësi deri në momentet e fundit për të gjetur një kandidat që mund t’i dalë përballë. Gjithashtu, duket se Infantino ka arritur të konsolidojë mbështetjen ndaj tij në të gjitha kontinentet. Sipas kritikëve, udhëtimet e tij të vazhdueshme kanë qenë një element kyç i kësaj strategjie.

Shqetësime janë ngritur edhe për ndikimin mjedisor që shkaktojnë udhëtimet e shumta të tij. Miguel Maduro, ish-kryetar i Komitetit të Qeverisjes së FIFA-s, ka deklaruar se udhëtimet e Infantinos janë pjesë e fushatës së tij elektorale. Në një prononcim për BBC Sport, ai u shpreh: ‘Problemi në këtë rast është se FIFA nuk ka rregulla për financimin e fushatave zgjedhore. Për rrjedhojë, presidenti mund të pretendojë se po udhëton në një vend të caktuar për angazhime zyrtare, ndërkohë që në të vërtetë po shfrytëzon këtë mundësi, qoftë edhe në mënyrë të tërthortë, për të bërë fushatë elektorale. Për më tepër, kushdo që do të kandidojë përballë tij, me shumë gjasa nuk do të ketë në dispozicion burimet e nevojshme financiare për të konkurruar në kushte të barabarta’

Pozita e Infantinos u duk e cenueshme pasi u zbulua se ai po hartonte një plan, të quajtur “Fifa Forward Enterprise” (FFE), për t’u shitur investitorëve privatë pjesë të të drejtave të Kupës së Botës dhe të kompeticioneve të tjera. Përpara se projekti FFE të vihej në sirtar, Infantino u kishte dërguar një letër të 211 federatave anëtare, duke u premtuar nga 40 milionë dollarë (30 milionë paund) nëse do të mbështesnin këtë nismë. Lars-Christer Olsson, ish-drejtor ekzekutiv i UEFA-s, ka theksuar në një prononcim për BBC Sport se çështja thelbësore është: ‘Çfarë u premton saktësisht dhe në çfarë kushtesh? Ashtu siç ka bërë edhe më parë, kur premtoi fonde në këmbim të mbështetjes së anëtarëve për projektin e tij FFE?’.

Top Channel