Gjykata Penale e Trikalasë në Greqi ka dënuar me burgim të përjetshëm 40-vjeçarin shqiptar Pandeli Nakoleci, i shpallur fajtor për vrasjen e bashkëshortes së tij, Marjola Nakoleci, në fund të gushtit të vitit 2025, në qytetin e Volosit.

Sipas mediave greke, krimi i rëndë ndodhi në banesën e familjes, ku Nakoleci goditi disa herë me sende të forta bashkëshorten e tij 36-vjeçare, në prani të katër fëmijëve të tyre.


Procesi gjyqësor nisi të enjten e kaluar dhe përfundoi të hënën, me shpalljen e vendimit. Gjykata e shpalli të pandehurin fajtor për vrasje me dashje, të kryer në gjendje të qetë shpirtërore. Krahas burgimit të përjetshëm, ndaj tij u dha edhe një dënim prej një viti burg për mbajtje dhe përdorim të paligjshëm të armëve.

Në sallën e gjyqit ishin të pranishëm edhe katër fëmijët e çiftit, por ata nuk u thirrën për të dëshmuar gjatë procesit.

Gjatë gjykimit, pala që mbështeste akuzën ngriti pretendimet për dhunë të vazhdueshme psikologjike, verbale dhe fizike që Pandeli Nakoleci dyshohet se ushtronte ndaj bashkëshortes së tij. Sipas akuzës, vrasja ishte planifikuar paraprakisht dhe ishte kryer me dashje.

Nga ana tjetër, gjatë mbrojtjes së tij, 40-vjeçari pretendoi se vuante nga probleme të shëndetit mendor, të cilat, sipas tij, së bashku me konfliktet dhe sjelljen e bashkëshortes, kishin ndikuar në kryerjen e krimit.

Prokurorja kërkoi shpalljen e tij fajtor për vrasje me dashje, duke kundërshtuar kërkesën e mbrojtjes për njohjen e përgjegjësisë së reduktuar penale për shkak të gjendjes së tij psikike.

Avokati i të pandehurit argumentoi se klienti i tij kishte një çrregullim psikik të diagnostikuar dhe se vijonte të merrte trajtim me medikamente edhe gjatë qëndrimit në burg.

Megjithatë, gjykata pranoi kërkesën e prokurores, rrëzoi pretendimet e mbrojtjes për uljen e përgjegjësisë penale dhe nuk pranoi as rrethanat lehtësuese të kërkuara nga avokati.

Në përfundim, Pandeli Nakoleci u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes, Marjola Nakoleci, si dhe me një vit burg për veprat e tjera penale.