Gazetari Lutfi Dervishi është përplasur me deputetin socialist Blendi Klosi, teksa ky i fundit po fliste për buxhetin e vitit 2027 i cili pritet të miratohet nen për nen të enjten në parlament.
“Sot kemi pasur mundësinë të kemi një buxhet interesant që do të miratojmë vitin e fundit. Kemi marrë masa shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me njerëzit e thjeshtë edhe ata të cilët kanë nevojë dhe kemi dakorduar me atë çfarë kemi thënë ditën e parë dhe të cilës i qëndrojmë besnikë që ata që fitojnë më shumë do të kontribuojnë më shumë. Ne nuk jemi këtu për të shpërndarë varfërinë dhe fukarallëkun, po jemi këtu për të shpërndarë mirëqenien edhe pasurinë dhe kësaj ja kemi dalë.”, deklaroi deputeti socialist në emisionin “Off the Record” në A2 CNN.
Përkundër këtyre deklaratve gazetrai Lutfi Dervishi tha se këto janë propaganda pasi buxheti më i madh nuk nënkupton automatikisht përmirësim të jetesës së qytetarëve. Sipas tij njerëzit sot nuk janë më të pasur se në 2013 dhe numri i të varfërve është rritur.
“E keni vonuar integrimin me çështjen e iBAR-it. Janë fakte. Dhe tjetra që është e vërtetë për varfërinë, por ju duket i doni kaq shumë të varfrit saqë i shtoni në mënyrë progresive. Njerëzit nuk janë më të pasur sot se sa ishin në 2013”, theksoi Dervishi.
Në përgjigje të tij Klosi tha se shtresa e mesme merr paga shumë më të larta.
“Është opinioni juaj. Shtresa e mesme merr paga shumë më të larta. Mësuesit marrin dy trefishin e pagës së tyre kur kemi ardhur”.
Por Dervishi vijoi replikën duke theksuar: “Mund të marrin dhe miliona, por blejnë më pak”.













