Analisti Enton Abilekaj ka komentuar zhvillimet e fundit brenda Partisë Socialiste, duke u ndalur te raportet mes kryeministrit Edi Rama dhe Elisa Spiropalit, si dhe te lëvizjet politike që po ndodhin në kampin socialist.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus, Abilekaj u shpreh se mes Ramës dhe Spiropalit nuk ka një përplasje të drejtpërdrejtë, por pakënaqësi nga ana e kësaj të fundit. Sipas tij, kjo pakënaqësi po shfaqet përmes kritikave ndaj personave që qëndrojnë pranë kryeministrit.
Analisti argumentoi se Spiropali, pas largimit nga pozicionet e larta drejtuese, nuk ka aktualisht një mbështetje të konsoliduar politike që do t’i mundësonte një përballje të drejtpërdrejtë me kreun e qeverisë.
“Ka pakënaqësi të Spiropalit ndaj Ramës, e cila shprehet duke goditur njerëzit pranë Ramës, por ajo nuk ka thënë diçka që lidhet direkt me Ramën dhe është kundër Ramës”, deklaroi Abilekaj.
Lufta për pasardhësin e Ramës
Duke analizuar situatën në PS, Abilekaj ngriti pretendimin se brenda partisë ka nisur një garë për pasuesin e Edi Ramës. Sipas tij, protestat e fundit kanë ndikuar në autoritetin politik të kryeministrit, duke krijuar hapësirë për lëvizje dhe ambicie të reja brenda strukturave socialiste.
Ai e lidhi këtë situatë edhe me pakënaqësitë e disa figurave të njohura të PS-së, si Elisa Spiropali, Erion Veliaj dhe Erion Braçe, të cilët, sipas tij, pas më shumë se një dekade në pushtet, nuk kanë marrë pozicionin që prisnin në hierarkinë politike.
“Ka një luftë për pasardhësin që shihet në PS. Autoriteti i Ramës është vënë në diskutim nga protestat”, u shpreh analisti.
Abilekaj u ndal edhe te Erion Veliaj, duke thënë se ky i fundit është figura që përpiqet të krijojë një përplasje të drejtpërdrejtë me kryeministrin, por aktualisht ndodhet në burg.
Sipas analistit, zhvillimet e fundit tregojnë për një dobësim të kohezionit brenda asaj që ai e cilësoi si “Rilindja”, ndërsa gara për të ardhmen e drejtimit të Partisë Socialiste po bëhet gjithnjë e më e dukshme.













