Gentian dhe babai i tij, Vahid Rroji, ankohen në emisionin Fiks Fare se zotërojnë truall dhe godinë me vërtetim hipotekor në Shkodër, të blera me kontratë noteriale para 28 vitesh dhe të përcaktuara më pas edhe me vendime gjyqësore. Në dokumentet e blerjes, pjesa e rrugës që shkon në pronën e tyre është e përcaktuar si “servitud kalimi”, ndërsa vërtetimet hipotekore të vjetra tregojnë se rruga ishte ndarë ndërmjet denoncuesve dhe komshinjtë.
Sipas ankesës, në vitin 2022 Kadastra e Shkodrës regjistroi rrugën në emër të kushërinjve të familjes tjetër, duke përdorur një VKM për kufij të pacaktuar. Sipas Fiksit, ky regjistrim u bë brenda zyrave pa shpallje dhe pa verifikim në terren, siç parashikohet nga VKM-ja. Prej më shumë se katër vjetësh, dy familjet—që janë edhe kushërinj—janë në konflikt të vazhdueshëm, dhe njëra palë ka mbyllur rrugën ekzistuese, duke mos lejuar palën tjetër të kalojë.
Fillimisht prona u regjistrua në emër të Jakup Rrojit, i cili më pas e kaloi me akte dhurimi te bashkëshortja Mynevere Rroji dhe vajzat Olsa dhe Doriana Rroji. Kadastra e Shkodrës pranon se është bërë gabim, por thotë se korrigjimi nuk mund të bëhet nga drejtoria rajonale sepse mbi pronën janë kryer transaksione dhe prona ka kaluar te trashëgimtarët. Për këtë arsye, Fiks ka mësuar se duhet ndërhyrë nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës në Tiranë, Drejtoria e Apelimit.
Fiks Fare shkoi në terren dhe dokumentoi se rruga historikisht përdorej si kalim dhe rezultonte në kontratën noteriale, por tashmë është tjetërsuar dhe e regjistruar në emër të komshinjve. Gazetarët filmuan përplasjet me pronarët aktualë, të cilët kundërshtojnë kalimin dhe pretendojnë se kanë dokumente pronësie. Denoncuesit disponojnë video ku provohet mbyllja e portës dhe moslejimi i kalimit. Gentian dhe Vahid Rroji i janë drejtuar ASHK Qendrore, Drejtorisë së Apelimit, si institucionit që mund të rregullojë këtë çështje sepse, sipas tyre, familja nuk ka rrugë kalimi për të shkuar në pronën e saj.
