Pasagjerët e Ryanair që nuk paguajnë tarifë shtesë për të zgjedhur vendin në avion do të duhet të presin deri në orët e fundit për të mësuar se ku do të ulen. Kompania ajrore irlandeze ka ndryshuar procedurën e caktimit të sediljeve, duke bërë që numri i vendit të shfaqet vetëm 3 deri në 4 orë përpara nisjes së fluturimit.
Sipas rregullave të mëparshme, udhëtarët mund të kryenin check-in online deri në 24 orë para nisjes dhe të mësonin menjëherë se në cilën sedilje ishin caktuar automatikisht. Nëse dëshironin një vend tjetër, mund të paguanin për ta ndryshuar atë.
Politika e re ka hyrë në fuqi në fund të tetorit, me fillimin e sezonit dimëror të fluturimeve, pa një njoftim të posaçëm publik nga kompania, raporton “The Irish Times”.
Ryanair e ka justifikuar ndryshimin me ankesat e pasagjerëve që dëshironin të blinin një vend të preferuar ditën e udhëtimit, por e gjenin atë të zënë nga udhëtarë të cilëve u ishte caktuar falas.
Kompania ka sqaruar se karta elektronike e imbarkimit do të përditësohet automatikisht me numrin e sediljes 3 deri në 4 orë përpara nisjes.
Vendimi ka shkaktuar pakënaqësi te një pjesë e udhëtarëve, të cilët në rrjetet sociale e kanë interpretuar si një mënyrë tjetër për t’i nxitur të paguajnë për shërbime shtesë.
Ndryshimi prek veçanërisht pasagjerët që zgjedhin tarifat më ekonomike dhe nuk duan të paguajnë për përzgjedhjen e sediljes. Ata do të kenë më pak kohë për të planifikuar uljen në avion, ndërsa numri i vendit do t’u bëhet i ditur vetëm pak orë para fluturimit.


