Ky është Elton Vrenozi, 49-vjeçari nga Fieri, një prej dy të arrestuarve në kuadër të hetimeve për abuzimin seksual ndaj 13-vjeçares shqiptaro-amerikane nga Shkodra.
Vrenozi u arrestua nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, ndërsa personi tjetër i arrestuar është Adrian Qerimi, 46-vjeç, banues në Tiranë, i cili u kap nga Policia e kryeqytetit.
Gjykata ka caktuar ndaj të dyve masën e sigurimit personal “Arrest në burg”. Sipas Policisë së Shtetit, ata dyshohen për kryerjen e veprave penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur” dhe “Trafikimi i të miturve”, të parashikuara përkatësisht nga nenet 100 dhe 128/b të Kodit Penal.
Arrestimet janë kryer në kuadër të hetimeve për rastin e 13-vjeçares, largimi i së cilës nga banesa ishte denoncuar nga familjarët. Pas kallëzimit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, së bashku me shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, nisën kërkimet për gjetjen e saj.

Operacioni u zhvillua në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë dhe Fier, nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës dhe me asistencën e strukturave të sigurisë së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Pas disa ditësh kërkimesh, e mitura u gjet në Tiranë, ndërsa hetimet zbuluan dyshime për abuzim seksual nga persona të ndryshëm gjatë qëndrimit të saj në disa qytete të vendit.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë ngjarje të rëndë.










