Një pjesë e rezidencës luksoze të aktorit të njohur Will Smith në Calabasas të Kalifornisë është përfshirë nga zjarri gjatë mesnatës së së hënës, më 23 nëntor.
Bëhet fjalë për pronën me vlerë rreth 42 milionë dollarë, ku aktori jeton me familjen e tij. Deri më tani, nuk ka pasur një reagim publik nga Will Smith lidhur me incidentin.
Kjo nuk është hera e parë që banesa e çiftit Will Smith dhe Jada Pinkett Smith përballet me një situatë të tillë. Në vitin 2021, një tjetër zjarr shpërtheu në bodrumin e shtëpisë, duke shkaktuar dëme në pronë.
Ndërkohë, në janar të vitit 2025, familja u detyrua të largohej përkohësisht nga banesa për shkak të zjarreve masive që përfshinë zonën e Palisades.
Aktori e bleu pronën në Calabasas në vitin 2003, ndërsa ndërtimi i rezidencës përfundoi në vitin 2010. Vila luksoze përmban gjashtë dhoma gjumi dhe 13 banjo.
Në vitin 2011, çifti e nxori fillimisht në shitje pronën për 42 milionë dollarë, por më pas ndryshoi vendim dhe zgjodhi ta mbante atë.
