Ryanair ndryshon papritur rregullat, çfarë duhet të dinë pasagjerët që nuk paguajnë për sediljen

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 24.11.2026, 21:36

Kompania ajrore Ryanair ka ndryshuar rregullat për pasagjerët që nuk paguajnë tarifë shtesë për të zgjedhur vendin e tyre në avion.

Sipas politikës së re, këta udhëtarë do të mësojnë numrin e sediljes vetëm 3 deri në 4 orë përpara nisjes së fluturimit, edhe nëse e kanë kryer më herët check-in online.

Ndryshimi ka hyrë në fuqi në fund të tetorit, me fillimin e sezonit dimëror të fluturimeve, pa një njoftim të posaçëm publik nga kompania.

Më parë, pasagjerët mund të kryenin check-in 24 orë përpara fluturimit, të mësonin menjëherë vendin e caktuar automatikisht dhe, nëse nuk ishin të kënaqur, të paguanin për një sedilje tjetër.

Ryanair e ka justifikuar vendimin me ankesat e klientëve që dëshironin të rezervonin një vend të preferuar ditën e udhëtimit, por e gjenin atë të zënë nga pasagjerët që nuk kishin paguar për përzgjedhjen e sediljes.

Kompania ka sqaruar se karta elektronike e imbarkimit do të përditësohet automatikisht me numrin e sediljes disa orë përpara nisjes.

Vendimi ka shkaktuar pakënaqësi në rrjetet sociale, ku shumë udhëtarë e konsiderojnë këtë një tjetër mënyrë për t'i nxitur pasagjerët të paguajnë tarifa shtesë.

Politika e re shton pasigurinë për ata që dëshirojnë të udhëtojnë me kosto minimale, ndërsa mund të favorizojë rritjen e të ardhurave të kompanisë nga rezervimi i sediljeve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit