Nga Albin Kurti
Më 28 Nëntor 1912 Kuvendi i përfaqësuesve të kombit shqiptar i mbledhur në Vlorë shpalli një aspiratë që ka mbetur e tillë edhe në ditët tona.
Ajo është që Shqipëria “të bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme”. Për më se një shekull nga ajo ditë, shqiptarët nuk kanë qenë më vete, të lirë e të mosvarur.
Ata janë pushtuar nga shtetet fqinje, nga ushtritë ndërluftuese gjatë Luftës së Dytë Botërore e më pas kanë lënguar nën regjime shtypëse e totalitare që nuk i kanë lënë të jenë më vete, të lirë e të mosvarur.
Gjenocidi më i fundit ndaj kombit tonë shqiptar u ndërmor në vitet 1998-1999 në Kosovë, mandej në qershor u çliruam me luftë dhe Republika e Kosovës u shpall shtet sovran në shkurt të vitit 2008.
Republika jonë është shteti i pjesës së kombit shqiptar që jeton në Kosovë dhe i pakicave kombëtare dhe etnike që përbëjnë qytetarinë e saj. Republika përpiqet që të realizojë aspiratën e 28 Nëntorit për të gjithë qytetarët e saj. Ne sot jemi një demokraci funksionale që garanton liritë e njeriut dhe liritë civile, dhe po bëjmë përpjekje që të zhvillohemi në të njëjtin drejtim e së bashku me demokracitë përparimtare të Bashkimit Evropian, të Amerikës së Veriut e të demokracive të tjera në rajon dhe në mbarë botën. Ne dëshirojmë që të bëhemi pjesë e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian dhe po ndërmarrim hapat e nevojshëm institucionalë mu për këtë qëllim.
Republika e Kosovës është më vete, por jo e mosvarur ndaj kombit shqiptar, prandaj marrëdhëniet me Republikën e Shqipërisë i kemi konsideruar gjithnjë vëllazërore dhe strategjike për kombin tonë mbarë, por njëkohësisht edhe për paqen e sigurinë në Evropën Juglindore.
Ne i përjetojmë ngjarjet politike në Shqipëri dhe, anasjellas, qytetarët e Shqipërisë i përjetojnë ngjarjet në Kosovë. E si institucione, posaçërisht si Qeveri, ne bashkëpunojmë: janë nënshkruar, zbatuar apo po zbatohen, 190 marrëveshje gjithsej ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Ato përfshijnë fusha të rëndësishme për jetën e qytetarëve tanë: arsimin, ekonominë, energjinë, infrastrukturën, bujqësinë, shëndetësinë, sigurinë, kulturën, diasporën dhe shumë fusha të tjera.
Ne nuk e harrojmë kurrë po ashtu ndihmesën e aleatëve perëndimorë për Kosovën e lirë dhe të pavarur dhe gjithnjë punojmë për të përforcuar marrëdhëniet dypalëshe e shumëpalëshe me Shtetet e Bashkuara, me vendet anëtare të Bashkimit Evropian, me Mbretërinë e Bashkuar, me Kanadanë, Turqinë, Japoninë, Zvicrën e të tjera. Bashkëpunime të ngushta kemi me ShBA-të, Gjermaninë e Francën, Mbretërinë e Bashkuar e Italinë, Turqinë e Poloninë, Izraelin, Kroacinë, Bullgarinë, shtetet arabe e të tjera, qoftë në fushën e sigurisë, të ekonomisë, çështjeve kulturore e të diasporës, apo të marrëdhënieve rajonale.
Kosova, porsi Shqipëria, e ka treguar veten si një partner i besueshëm për ruajtjen dhe promovimin e paqes, në Evropë dhe në botë. Ajo ka dhënë ndihmesën e vet në dënimin e pushtimit rus të Ukrainës dhe në stërvitjet e NATO-s e të partnerëve të saj për sigurinë në Evropë. Kosova, edhe pa qenë anëtare e NATO-s, tash e 4 vjet rresht e ka plotësuar kriterin e investimeve për sigurinë në nivelin 2% të Bruto Produktit Vendor.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit më 10 qershor 1878, Kongresi i Alfabetit në Manastir më 22 nëntor 1908 dhe 28 Nëntori i shumëfishtë – i Flamurit dhe Skënderbeut në Krujë në 1443, i Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ismail Qemalit në Vlorë në 1912, e i UÇK-së e kryekomandantit Adem Jashari në Drenicë në fund të shekullit të kaluar – janë dhe do të jenë përgjithmonë themelet e kombit tonë, që në shekullin XXI e më tej, do të na bëjnë gjithnjë krenarë e të gëzuar, por edhe përherë të na mbushin me përgjegjësi e detyra.













