Mbajtja e thikave në ambiente publike dhe shfaqja e tyre para qytetarëve është një sjellje tejet shqetësuese, që përbën rrezik për sigurinë e të gjithëve. Një tjetër rast i tillë vjen nga Fieri, ku një drejtues mjeti ka denoncuar një person që lëvizte me thikë në dorë në mes të qytetit.
Pamjet e mbërritura në redaksinë e JOQ Albania janë regjistruar nga kamera e automjetit, në hyrje të pedonales së Fierit. Në video shihet një person i veshur me rroba të errëta, i cili afrohet pranë automjetit, kthehet në drejtim të drejtuesit dhe i shfaq një objekt që, sipas denoncuesit, ishte një thikë që e mbante në dorën e djathtë.
Drejtuesi i mjetit tregon se nuk e njihte personin dhe se gjithçka ndodhi krejt papritur, teksa po kalonte në atë zonë. Ai ka sqaruar gjithashtu se personi në fjalë ndodhej vetëm rreth 50 metra larg fast-food-it ku pak më parë ishte plagosur me thikë punonjësi 29-vjeçar.
Rasti ngre shqetësime për sigurinë në hapësirat publike, ku askush nuk duhet të ndihet i kërcënuar nga persona që mbajnë mjete prerëse dhe ua shfaqin ato të tjerëve në rrugë, pa asnjë arsye të dukshme.
Qytetarët duhet të jenë të lirë të lëvizin në qytetin e tyre pa u përballur me skena të tilla, ndërsa autoritetet duhet t'i kushtojnë vëmendje rasteve të mbajtjes së armëve të ftohta në ambiente publike.