Gazetari Artan Hoxha ka komentuar përplasjet e fundit brenda Partisë Socialiste dhe reagimet e Elisa Spiropalit ndaj drejtimit të partisë, duke ia atribuar kryeministrit Edi Rama përgjegjësinë për ngjitjen e saj në hierarkinë politike të PS-së.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus, Hoxha deklaroi se Spiropali nuk është promovuar përmes garës apo konkurrencës brenda strukturave socialiste, por është afruar dhe mbështetur drejtpërdrejt nga Rama. Sipas gazetarit, kryeministri ka shmangur edhe procedurat e brendshme të partisë për ta vendosur atë në pozicione të rëndësishme drejtuese.
Hoxha kujtoi edhe angazhimin e mëparshëm të Spiropalit në lëvizjen “Mjaft” dhe më pas në G-99, duke theksuar se kalimi i saj në PS dhe promovimi në poste të rëndësishme politike janë bërë me mbështetjen e kryeministrit.
“Zonja nuk e ka sjellë gara dhe as konkurrenca e PS. E ka bërë Rama. Kjo zonjë u mor nga jashtë dhe u implementua në trupin e PS nga Edi Rama. Shumë socialistë të tjerë, që mbase e meritonin të ishin aty, u nxorën nga gara, të vendosej aty Spiropali”, u shpreh gazetari.
Duke folur për reagimet e fundit të Spiropalit dhe mundësinë e një përballjeje të drejtpërdrejtë me kryeministrin, Hoxha u shpreh se ish-ministrja nuk ka aktualisht mbështetjen politike dhe strukturën e nevojshme për të sfiduar Ramën.
Sipas tij, reagimet e kryeministrit ndaj Spiropalit janë të tepruara, pasi, në vlerësimin e tij, ajo nuk përbën një kundërshtare me ndikim të konsiderueshëm brenda partisë. Përkundrazi, Hoxha argumentoi se përjashtimi i saj mund t’i japë më shumë vëmendje politike sesa ka aktualisht.
“Ajo nuk bën dot luftë me Ramën. Nuk ka as këllqe, as mundësi, as projekt. Nuk bën dot ajo luftë me Ramën. E ka faktorizuar reagimi i Ramës, që më duket i palogjikshëm. Pse merresh? Çfarë dëmi të bën Elisa Spiropali? Çfarë mbështetje ka ajo? Duke e përjashtuar e faktorizon, sepse ajo nuk ka asgjë në dorë”, deklaroi Hoxha.
Në përfundim, gazetari e lidhi situatën aktuale me mënyrën se si Rama ka ndërtuar dhe promovuar figura të caktuara brenda PS-së, duke e përmbledhur qëndrimin e tij me shprehjen se kryeministri po përballet sot me pasojat e zgjedhjeve të tij të mëparshme politike.
“Rama po korr çfarë ka mbjellë. Mbolli Elisën dhe po korr Elisën”, përfundoi Artan Hoxha.













