Një familje prej katër anëtarësh është gjetur e pajetë në banesën e saj në Las Cruces, në shtetin amerikan të New Mexico-s. Tragjedia u zbulua pas alarmit të një të afërmeje, e cila kishte tentuar disa herë të kontaktonte me familjarët, por nuk kishte marrë përgjigje.
Ngjarja ndodhi më 19 nëntor, kur policia mori njoftimin dhe shkoi në banesën në Lunetta Court. Brenda saj, efektivët gjetën trupat e pajetë të katër personave, të gjithë me plagë të shkaktuara nga armë zjarri.
Sipas dyshimeve të autoriteteve, 28-vjeçari Marcus Reyes Sr. ka vrarë bashkëshorten e tij, 28-vjeçaren Alayna Reyes, dhe dy fëmijët e tyre të mitur, Marcus Jr., 8 vjeç, dhe Anastacia, 6 vjeçe. Pas vrasjes së familjarëve, ai dyshohet se ka qëlluar edhe veten.
Policia po e trajton ngjarjen si një rast të dyshuar vrasjeje-vetëvrasjeje, ndërsa vijon puna për sqarimin e plotë të rrethanave.
Pas tragjedisë, familjarët kanë nisur një fushatë në platformën GoFundMe për të ndihmuar financiarisht nënën e Alayna Reyes. Nismën e ka ndërmarrë tezja e saj, Kim Vallejos. Deri më 24 nëntor, fushata kishte mbledhur afro 25 mijë dollarë.
Në mesazhin shoqërues, Vallejos shpjegoi se fondet do të përdoren për nevojat e menjëhershme të familjes, mbështetjen e të afërmve dhe shpenzimet që kanë ardhur pas humbjes së rëndë.
“Po mbledh fonde për të ndihmuar motrën time me mbështetjen familjare, nevojat e menjëhershme dhe shpenzimet e tjera që vijnë pas vdekjes së vajzës së saj, Alayna-s, dhe nipërve e mbesës së saj, Marcus dhe Anastacia-s. Kjo humbje e paimagjinueshme na ka lënë zemërthyer. Ata ishin shumë të dashur dhe do të na mungojnë”, shkroi ajo.
Ngjarja ka tronditur familjarët dhe komunitetin në Las Cruces, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të dokumentuar rrethanat e vdekjes së katër anëtarëve të familjes.


