Gazetarja Klodiana Lala ka zbardhur detaje nga hetimet e SPAK që lidhen me Elisa Spiropalin, bashkëshortin e saj Salarjon Totaj dhe disa familjarë të tyre, pas një kallëzimi për dyshime mbi korrupsionin, pastrimin e parave, fshehjen e pasurisë dhe shkeljen e barazisë në tendera.
E ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus, Lala deklaroi se SPAK ka regjistruar një procedim penal për këto vepra, ndërsa po verifikon edhe rolin e mundshëm të ish-ministres në çështjen e denoncuar. Sipas gazetares, në kallëzim janë përfshirë edhe bashkëshorti i Spiropalit, vëllai dhe dy kunatat e saj.
Lala sqaroi se regjistrimi i procedimit është bërë për vepra penale dhe se deri në këtë fazë nuk ka persona të marrë zyrtarisht nën hetim. Megjithatë, sipas saj, burime zyrtare kanë konfirmuar se po shqyrtohet edhe përfshirja e mundshme e Spiropalit.
Bizneset familjare dhe tenderat në Fier
Një prej pistave që po verifikohen lidhet me kompaninë “Sal shpk”, në pronësi të bashkëshortit të Spiropalit, Salarjon Totaj. Sipas Lalës, subjekti zotëron edhe një restorant në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, ndërsa hetuesit po shqyrtojnë transaksione financiare dhe shpërndarjen e dividendëve në shuma të konsiderueshme.
Dyshimet, siç shpjegoi gazetarja, lidhen me raportin mes të ardhurave të deklaruara nga biznesi dhe vlerave të transaksioneve të kryera.
Një tjetër pistë hetimore ka të bëjë me kompaninë “Solomon Construction”, të themeluar nga vëllai i Spiropalit. Sipas verifikimeve të përmendura nga Lala, kjo kompani ka përfituar tendera pranë Ujësjellës-Kanalizimeve në Fier, në periudhën kur ky institucion drejtohej nga bashkëshorti i ish-ministres.
Për këtë arsye, hetuesit po shqyrtojnë jo vetëm dyshimet për parregullsi në procedurat e prokurimit, por edhe mundësinë e konfliktit të interesit.
SPAK sekuestron dokumente për bizneset e familjarëve
Sipas gazetares, kallëzimi është depozituar në fund të gushtit dhe në fillim të shtatorit. Në kuadër të verifikimeve, prokurorët kanë sekuestruar një numër të konsiderueshëm dokumentesh që lidhen me aktivitetin e bizneseve të bashkëshortit, vëllait dhe kunatave të Spiropalit.
Lala theksoi se janë pikërisht hetimet që do të përcaktojnë nëse dyshimet e ngritura në kallëzim mbështeten nga provat dhe nëse ka përgjegjësi penale për ndonjë prej personave të përmendur.
“Hetimet mund të tregojnë dhe të nxjerrin në pah nëse është apo jo e implikuar Spiropali”, u shpreh gazetarja.













