E martë, 24 Nëntor 2026 Te Paekspozuarit deri në 23:30 Në vijim ora 23:30: Lajmet e Fundit dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Putin: Ukraina po godet rafineritë ruse të naftës pavarësisht kërkesës së Trumpit

Ukraina ka vazhduar sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës, pavarësisht kërkesës të presidentit amerikan, Donald Trump, që të përmbahet nga këto sulme, tha të martën udhëheqësi rus, Vladimir Putin, teksa u zotua se do të kundërpërgjigjet.

Kievi ka deklaruar se do t’i ndalë sulmet ndaj caqeve energjetike ruse vetëm nëse Moska bën të njëjtën gjë. Sulmet ukrainase u reduktuan pasi Trump në mesin e muajit tetor kërkoi një armëpushim në sektorin e energjisë. Megjithatë, që nga muaji i kaluar ato janë shpeshtuar.

“Shohim se regjimi i Kievit vazhdon të sulmojë objektet tona të përpunimit të naftës, pavarësisht thirrjes dhe kërkesës së drejtpërdrejtë të presidentit amerikan që të përmbahet nga sulme të tilla. Por, autoritetet e Kievit po e shpërfillin këtë këshillë”, tha Putini në një takim me zyrtarë qeveritarë dhe drejtues të lartë të kompanive të naftës në Kremlin.

“Dua të theksoj se se masat hakmarrëse nga ana jonë janë të pashmangshme”, shtoi ai.

Reklamë

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, shkroi në X se Putini mund t’i japë fund sulmeve të Kievit ndaj rafinerive duke përfunduar luftën që ka nisur mbi katër vjet e gjysmë më parë.

“Nëse Putinit nuk i pëlqejnë sulmet e Ukrainës ndaj rafinerive të tij të naftës, ai mund të urdhërojë përfundimin e luftës. Nëse nuk dëshiron që anijet e tij ushtarake të goditen, mund të urdhërojë përfundimin e luftës”, shkroi Sybiha.

Putin, tha ai, po i kushtonte pak vëmendje rritjes së humbjeve në fushëbetejë nga Rusia, “pa iu afruar objektivit të pushtimit të tij. Qartazi atij nuk i interesojnë këto humbje. Mos u anko. Jepi fund luftës”.

Reuters raportoi se sipas vlerësimeve të dy burimeve, sulmet me dronë të Ukrainës kanë ulur me 45 për qind vëllimin e përgjithshëm të naftës bruto që përpunojnë rafineritë ruse, që nga fundi i tetorit.

Disa rajone ruse kanë vendosur kufizime për shitjen me pakicë të benzinës dhe naftës dizel, pas rifillimit të sulmeve ukrainase ndaj rafinerive të naftës, sipas mediave lokale dhe autoriteteve.

Putini tha se ndonëse tregu i brendshëm i karburanteve vazhdon të jetë në gjendje të vështirë, çmimet e benzinës janë stabilizuar, pasi arritën kulmin në tetor.

Bashkimi Evropian ka vendosur të ndalojë blerjen e gazit të lëngshëm natyror (LNG) rus, që transportohet me anije, duke filluar nga 1 janari. Megjithatë, furnizimet me LNG-në ruse në Evropë arritën në rreth 13.7 milionë tonë metrikë vitin e kaluar.

Sipas të dhënave të LSEG-ut, eksportet ruse të LNG-së drejt Evropës janë rritur me rreth 6.3 për qind në dhjetë muajt e parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke arritur gjithsej në 11.8 milionë tonë.

Putini tha se përpjekjet e Evropës për të kufizuar eksportet ruse të energjisë kanë dhënë efekt të kundërt, pasi Rusia ka zgjeruar tregjet e saj të shitjes dhe po përdor gjithnjë e më shumë Rrugën Veriore Detare që kalon përgjatë brigjeve të saj në Arktik./rel

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.