Kurti: Kosova është më vete, por jo e pavarur nga kombi shqiptar, me Shqipërinë kemi 190 marrëveshje
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë, në prag të 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.
Në fjalën e tij, Kurti ka thënë se 28 Nëntori përfaqëson një aspiratë që shqiptarët e kanë bartur ndër breza, atë për liri, mëvetësi dhe pavarësi.
Ai ka rikujtuar shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912 në Vlorë, duke thënë se për më shumë se një shekull shqiptarët janë përballur me pushtime, luftëra dhe regjime shtypëse.
Duke folur për historinë e Kosovës, Kurti ka përmendur luftën e viteve 1998-1999, çlirimin e vendit dhe shpalljen e pavarësisë më 2008.
“Republika jonë është shteti i pjesës së kombit shqiptar që jeton në Kosovë dhe i pakicave kombëtare dhe etnike që përbëjnë qytetarinë e saj. Republika përpiqet që të realizojë aspiratën e 28 Nëntorit për të gjithë qytetarët e saj. Ne sot jemi një demokraci funksionale që garanton liritë e njeriut dhe liritë civile, dhe po bëjmë përpjekje që të zhvillohemi në të njëjtin drejtim e së bashku me demokracitë përparimtare të Bashkimit Evropian, të Amerikës së Veriut e të demokracive të tjera në rajon dhe në mbarë botën”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka theksuar se Kosova synon anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Evropian, ndërsa marrëdhëniet me Shqipërinë i ka cilësuar si vëllazërore dhe strategjike.
“Republika e Kosovës është më vete, por jo e mëvetësuar ndaj kombit shqiptar, prandaj marrëdhëniet me Republikën e Shqipërisë i kemi konsideruar gjithnjë vëllazërore dhe strategjike për kombin tonë mbarë, por njëkohësisht edhe për paqen e sigurinë në Evropën Juglindore”, ka thënë ai.
Kurti ka bërë të ditur se ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë janë nënshkruar, zbatuar ose janë në proces zbatimi gjithsej 190 marrëveshje, të cilat përfshijnë fusha si arsimi, ekonomia, energjia, infrastruktura, bujqësia, shëndetësia, siguria, kultura dhe diaspora.
Në fjalën e tij, kryeministri ka përmendur edhe bashkëpunimin me aleatët perëndimorë, duke theksuar rëndësinë e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e Bashkimit Evropian dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë.
Ai ka thënë se Kosova, njësoj si Shqipëria, është dëshmuar si partnere e besueshme në ruajtjen dhe promovimin e paqes, duke përmendur edhe mbështetjen për Ukrainën dhe pjesëmarrjen në stërvitjet e NATO-s.
Kurti ka theksuar se Kosova, ndonëse ende nuk është anëtare e NATO-s, për katër vjet radhazi ka përmbushur kriterin e investimeve në siguri në nivelin prej dy për qind të Bruto Produktit Vendor.
Në fund, ai ka rikujtuar rëndësinë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Kongresit të Manastirit dhe ngjarjeve të 28 Nëntorit, duke i cilësuar ato si themele të kombit shqiptar.
“Lidhja Shqiptare e Prizrenit më 10 qershor 1878, Kongresi i Alfabetit në Manastir më 22 nëntor 1908 dhe 28 Nëntori i shumëfishtë – i Flamurit dhe Skënderbeut në Krujë në 1443, i Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ismail Qemalit në Vlorë në 1912, e i UÇK-së e kryekomandantit Adem Jashari në Drenicë në fund të shekullit të kaluar – janë dhe do të jenë përgjithmonë themelet e kombit tonë”, ka thënë Kurti.
Ai ka uruar qytetarët e Kosovës, shqiptarët kudo që jetojnë dhe miqtë ndërkombëtarë për Ditën e Flamurit.















