Dy persona të tjerë kanë përfunduar në pranga në kuadër të hetimeve për abuzimin seksual ndaj 13-vjeçares shqiptaro-amerikane nga Shkodra, e cila u gjet pas disa ditësh kërkimesh në Tiranë.

Të arrestuarit janë Elton Vrenozi, 49 vjeç, banues në Fier, dhe Adrian Qerimi, 46 vjeç, banues në Tiranë. I pari u kap nga shërbimet e Policisë së Fierit, ndërsa i dyti nga efektivët e kryeqytetit.

Për të dy personat, gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”. Ata dyshohen për veprat penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur” dhe “Trafikimi i të miturve”.

Hetimet nisën pas denoncimit të familjarëve për largimin e 13-vjeçares nga banesa. Pas kallëzimit, policia e Shkodrës organizoi kërkimet për gjetjen e saj, në bashkëpunim me strukturat e policisë në Tiranë dhe Fier.

Operacioni u zhvillua nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, me asistencën e strukturave të sigurisë së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Pas lokalizimit të së miturës në Tiranë, hetuesit zbuluan dyshime se ajo ishte abuzuar seksualisht nga persona të ndryshëm gjatë qëndrimit në disa qytete të vendit.

Ndërkohë, hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë lidhje me rastin dhe dokumentimin e plotë të përgjegjësive penale.