Një ndërhyrje kibernetike ka vënë në alarm institucionet amerikane të sigurisë, pasi CIA dhe Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare kanë konstatuar ekspozimin e disa informacioneve të paklasifikuara nga sistemet e tyre.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, hakerët kanë arritur të depërtojnë në një platformë të përdorur për analizimin e inteligjencës nga burime të hapura, ku përpunohen të dhëna të marra nga interneti, rrjetet sociale, imazhet satelitore dhe burime të tjera publike.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë bërë të ditur se cilat të dhëna janë ekspozuar konkretisht. Megjithatë, sipas burimeve të njohura me hetimin, informacionet e klasifikuara nuk janë komprometuar. Dyshohet gjithashtu se ndërhyrja mund të ketë prekur edhe sisteme të institucioneve të tjera qeveritare amerikane.
Një prej burimeve ka bërë të ditur se problemi është identifikuar dhe është zgjidhur, ndërsa një zyrtar i Zyrës së Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare ka deklaruar se incidenti nuk ka ndikuar në funksionimin e kapaciteteve kritike. CIA, nga ana tjetër, nuk ka dhënë një koment zyrtar.
Shqetësimet për sigurinë kibernetike në SHBA janë shtuar pas disa incidenteve të njëpasnjëshme në institucionet federale. Vetëm gjatë javës së fundit, Agjencia e Sigurisë Kombëtare (NSA) përjetoi një ndërprerje disa ditore të rrjetit të saj të brendshëm të klasifikuar, megjithëse problemi nuk u lidh me një sulm kibernetik.
Ndërkohë, një tjetër ndërhyrje u raportua në bazën kombëtare të të dhënave të FBI-së, e cila përdoret nga agjencitë federale dhe autoritetet lokale për shkëmbimin e informacioneve mbi personat e dyshuar për aktivitete kriminale.
Edhe Departamenti Amerikan i Bujqësisë u përball me një incident të sigurisë kibernetike, duke u detyruar të çaktivizonte përkohësisht disa aplikacione të brendshme.
Presidenti Donald Trump reagoi gjithashtu ndaj problemeve të raportuara në sistemet qeveritare, duke e cilësuar ndërhyrjen në bazën e të dhënave të FBI-së si një zhvillim shqetësues.
Nga ana tjetër, drejtori i Inteligjencës Kombëtare, Jay Clayton, u përpoq të qetësonte opinionin publik, duke deklaruar se incidente të tilla janë pjesë e realitetit të sigurisë kibernetike dhe nuk duhet të shkaktojnë panik.
Pavarësisht këtyre deklaratave, hetimet vijojnë për të përcaktuar se kush qëndron pas ndërhyrjes në sistemet e inteligjencës amerikane, cilat institucione të tjera mund të jenë prekur dhe sa është shtrirja reale e ekspozimit të të dhënave.
