Rrokullisja e shpejtë e Elisa Spiropalit nga majat e pushtetit, ku recitonte vargjet për Shqipërinë europiane të Edi Ramës, drejt një fati të paqartë politik dhe penal, u shoqërua me përçartjet e një gruaje të cënuar në krenarinë e saj, që për hir të refuzimit të liderit, është gati t’i vërë flakën karrierës së saj politike.
Meqënëse Spiropali nuk përfaqëson asgjë më shumë se një ithtare të lënduar të Ramës që nuk është çudi të zbutet nesër thjesht me një shikim të tij, përjashtimi kaloi pa ndonjë zhurmë të veçantë. Në mbledhjen e deputetëve socialistë pati vetëm 2 vota abstenim, një nga Erion Braçe dhe tjetri nga Bledi Çuçi. Formaliteti kaloi pa surpriza.
Por mënyra se si e përzunë Elisa Spiropalin nga partia, vlen të shihet për t’i kuptuar më mirë pozitat e Edi Ramës në raport me Belinda Ballukun. A është më ky një kryeministër që vendos vetë apo i është dorëzuar dëshirave dhe mllefeve të Belinda Ballukut? A ka Belinda Balluku ndonjë ndikim special tek Rama apo në fund ajo mbetet një ushtare kokulur para tij?
Shkarkimi i Elisa Spiropalit nga ministre e jashtme

Trajektorja e karrierës së Elisa Spiropalit tregon se për sa kohë Belinda Balluku nuk kishte probleme në SPAK, edhe Elisa ishte e qetë mes privilegjeve të pushtetit. Madje, nëse nuk do të ishte shkarkuar nga posti i ministres së jashtme në Janar të këtij viti, nuk është çudi që Elisën ta gjeje mes skifterëve të tjerë, duke recituar mbi nevojën se pse duheshin prerë koka të tjera komplotistësh brenda partisë.
Sepse me Spiropalin, Rama ka shfaqur përherë një zemërgjerësi të pazakontë.
Në vitin 2013, kur sapo mori pushtetin e emëroi menjëherë drejtoreshë të doganave. Me këtë qokë që bëri ndaj saj, disa u habitën, të tjerë mbetën të pakënaqur. Doganat ishin llokma të lakmuara fort nga socialistët që prej 8 vitesh në opozitë kishin provuar grevat e urisë, protestat e zgjatura dhe përplasjet e forta me pushtetin e Berishës. Ama Spiropali ishte ndër të parat që i shijoi frytet e rotacionit politik.
Pas rrëmbeu eksperiencë në dogana, Spiropali ishte gati për karrierën politike. Fillimisht si deputete në Korçë dhe më vonë në Tiranë. Për herë të parë u bë pjesë e kabinetit qeveritar në 2019 si Ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, ku zëvëndësoi Ermonela Felajn. Në kuvend, mori përsipër t’i përgjigjej flakë për flakë akuzave të Sali Berishës, përmes një manovre komunikimi që i hiqte Ramës një barrë jo të lehtë në seancat plenare.
Por për një koordinim më të mirë në kundërpërgjigjet ndaj opozitës, iu desh drejtimi i kuvendit. Rama shkarkoi Lindita Nikollën dhe e ngjiti Spiropalin në postin e kryetares së parlamentit. Paralelisht me detyrën në parlament, u rrit edhe pesha e saj në parti. Në zgjedhjet e 2025 ajo ishte drejtuese politike për Shkodrën.
Pas 12 vitesh bashkëpunim, marrëdhëniet me Ramën i kishte ende të ngrohta. Jo më kot, në qeverinë e re, në shtator 2025, erdhi emërimi si Ministre e Punëve të Jashtme.
Por kjo do të ishte dhurata e fundit e Elisa Spiropalit nga Rama. Pasi kaluan disa muaj dhe në Janar erdhi shkarkimi. Fytyra e Ramës kishte ndryshuar. Disa javë para shkarkimit i fliste me përçmim dhe e quante “një dështim” punën e saj në diplomaci. “Sa herë shkoj në atë ministri, më duket sikur atje është vetëm ministri, sekretarja dhe roja”, kishte thënë për dikasterin që drejtonte Spiropali.
Pas vitesh të gjata bashkëpunimi, Elisa e kuptonte se ftohja me kryeministrin i vinte për shkaqe të tjera, që kishin lidhje me luftën e ftohtë me Belinda Ballukun. Në korridoret e kryeministrisë s’kishte pasur asnjëherë vend për të dyja.
Dyshimet se Spiropali çoi dosjen e Ballukut tek shërbimet partnere

Para se Belinda Balluku të merrej e pandehur në SPAK në fund të muajit tetor 2025, në këtë institucion u shtuan ecejaket e zyrtarëve të lartë të Bashkimit Europian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në çdo vizitë që bënin në SPAK, ata ndaleshin edhe për një foto në zyrën e prokurorit Dritan Premçi, të cilit i mbeti në duar dosja më e nxehtë e prokurorisë së posaçme; hetimi për Belinda Ballukun.
Për herë të parë me këtë dosje, kupola drejtuese e shumicës në pushtet u ndje seriozisht e rrezikuar nga SPAK. Hetimet preknin direkt procedurën e tenderave, në mesazhet e gjetura në celularët e sekuestruar dilte vazhdimisht emri i Edi Ramës. Në fund të dhjetorit, kur SPAK kërkoi arrestimin e Belinda Ballukut, Rama u bë gati të mos e dorëzonte zv.kryeministren. Bashkë me SPAK, po i shkonte për djall edhe marrëdhënia me ndërkombëtarët që kishin investuar reputacionin e tyre tek reforma në drejtësi.
Vetëm se këmbëngulja e zyrtarëve të huaj për dosjen në fjalë, binte erë. Në paranojat e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut ekuacioni bëhej më i plotë nëse ndërkombëtarët kishin pasur bashkëpunim brenda qeverisë.
Sipas një fjalimi që Rama u ka mbajtur deputetëve të Partisë Socialiste në fund të muajit shkurt, në një mbledhje të raportuar nga Lapsi.al, kryeministri foli me përbuzje të dukshme për disa njerëz brenda në parti që kishin folur nëpër ambasada dhe në takime me diplomatë duke lënë të kuptohej se e kishte për Elisa Spirolalin. Këtë kategori Rama e cilësoi si “deputetë anglishtfolës”.
Në të njëjtën mbledhje, Rama foli me revansh kundër Gjermanisëm për ndërhyrjet e qeverisë gjermane në dosjet e SPAK, sidomos për hetimet në lidhje me tenderin e Porto Romanos, ku janë skualifikuar kompani me reputacion ndërkombëtar.
“Po shfrytëzojnë dobësitë tona për të na penguar”, u shpreh Rama ndër të tjera për rolin e Gjermanisë kundër qeverisë së tij, duke përdorur në këtë rast influencën në SPAK dhe kanalet e tjera diplomatike.
Me pak fjalë, në sytë e Ramës, Elisa Spiropali ishte tanimë një komplotuese që në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, kishte ndikuar për shtimin e presionit për dosjen e Belinda Ballukut. Kjo ishte edhe arsyeja që ai e kishte larguar me shpejtësi nga posti i ministres së jashtme.
Spiropali foli për këto dyshime thuajse 9 muaj me vonesë në intervistën që dha në Top Channel.
“Sa i takon fjalëve që janë thënë për anglishtfolësit, për lidhjet me partnerët, me të tjera e të tjera, këto janë mënyrat besoj unë, më më primitive për të adresuar problematika që s’kanë lidhje me këtë” u shpreh ajo. “Në rastin e ë për të cilin është folur dhe është abuzuar në media edhe kudo tjetër në forume, që “Ministrja e Jashtme ka folur me partnerët” sa i takon këtyre rasteve, kjo është vetëm një mënyrë për t’i ikur përgjegjësisë në kohën e duhur. Nëse duhet ta them me emër, për çështjen e Belinda Ballukut. Unë kam bërë vetëm një akt politik dhe akti politik ka qenë mosvotimi, pra mosvajtja në Kuvend për votimin, për imunitetin pas vendimit që ishte marrë në grup. Ai ka qenë akti im politik” tha Spiropali.
Rama-Balluku, polici i mirë-polici i keq me Spiropalin

Teksa Belinda Balluku ka bërë çmos për t’ia shlyer borxhin që ajo mendon se i detyrohet Elisa Spiropali, interesante është se si Rama përpiqet të shfaqet më tolerant dhe në rolin e një babaxhani të dhimbsur me ish-ministren e tij. Ka gati 9 muaj, që Elisa Spiropali ngre zërin për mënyrën se si drejtohet Partia Socialiste, se si duhet refuzuar modeli “Balluku” por sërish Rama e ka shmangur konfliktin publik me të duke e kursyer deri vonë.
Në fund të shkurtit, një ditë pasi Rama njoftoi ndryshimet në qeveri, Spiropali shkroi se largimi nga Ministria e Jashtme nuk do të ishte fundi i karrierës së saj politike. “Dje përfundoi një detyrë, por jo një rrugëtim”, shkroi ajo. Dy javë më vonë, më 12 mars, mungoi në seancën ku 82 deputetë socialistë rrëzuan kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut. Kur Taulant Balla e la të hapur mundësinë se grupi do të konsultohej për mungesën e saj, ajo ia ktheu publikisht: “Thirre grupin dhe zhvillojmë një diskutim të plotë.”
Disa ditë më vonë shkroi se ajo që po i ndodhte ishte shfaqje e një modeli ku “arroganca dhe abuzimi nuk paraqiten më si devijime, por si forma të pranueshme shoqërore”. Më 17 prill, toni ndryshoi. “Po më këshillojnë të hesht”, shkroi ajo. Po atë ditë, Lapsi.al raportoi se inspektorët e Tatimeve kishin shkuar në bizneset e bashkëshortit të saj dhe të disa familjarëve ku kishin pasur edhe një përplasje me kërcënime.
Në publik, ndërkohë, Rama luajti rolin e kryetarit që di t’ua falë gabimet njerëzve të vet. Më 13 maj, kur Nikollë Lesi e pyeti nëse do ta përjashtonte Spiropalin, ai e paraqiti sfidën e saj si shenjë afeksioni. “Kush thotë ‘hajde, këtu më ke, më vrit’ e thotë ngaqë të do apo jo?” Kur pyetja iu bë sërish, Rama u përgjigj: “Çdo njeri mund të gabojë.” Por në kohën kur kryeministri fliste me kaq mirëkuptim për ish-ministren, inspektorët kishin nisur tashmë punën në bizneset e familjes së saj.
Spiropali ndërkohë vazhdoi me kërkesën për debat brenda Partisë Socialiste. Më 5 qershor, ndërsa mazhoranca përballej me lumin e protestave të flamingove, ajo kërkoi një marrëveshje të re për Shqipërinë. “Shteti duhet të jetë më i madh se pushteti dhe institucionet më të forta se ata që i ushtrojnë”, shkroi ajo. Më 21 qershor, pasi Rama vuri në dyshim se dokumenti do të vinte ndonjëherë, Spiropali iu përgjigj: “Po, do ta kemi Marrëveshjen e Re për Shqipërinë.” Më 16 korrik e dorëzoi mocionin në Asamblenë e PS.
Në vjeshtë, kritikat iu drejtuan vetë Ramës. Më 16 tetor, në një letër të hapur, Spiropali i kërkoi të mblidhte strukturat e partisë dhe të mos përforconte “mitin e pazëvëndësueshmërisë”. Më 6 nëntor, kur në media qarkullonte teza e një komploti të brendshëm, ajo sfidoi Ramën me një fotomontazh: “Thanë puçi dështoi, por unë sapo kam nisur…” Pas më shumë se 9 muajsh deklarata dhe sfida publike që nuk kishin marrë asnjë përgjigje, nga mbledhja me dyer të mbyllura e Asamblesë, ishte vetë Rama që propozoi përjashtimin e saj.
Pesë ditë më vonë, Spiropali vetë i ndau rolet e dyshes rreth së cilës është përqëndruar pushteti. Ramën e quajti “baba dhe mentor politik” që duhej të divorcohej nga modeli që po dëmton PS, ndërsa Ballukun e akuzoi se po i ushtronte presion familjes përmes drejtorit të Tatimeve, Ilir Binaj, të cilin e cilësoi “të emëruarin personal” të ish-zëvendëskryeministres.
Sipas saj, Rama ende mund të distancohej nga modeli Balluku,
Vetëm se kjo ndarje e roleve tashmë duket naive. Më shumë se të ndarë, Rama dhe Balluku duken të koordinuar.
Ditët e fundit u raportua se SPAK regjistroi procedim penal pas një kallëzimi lidhur me bizneset e bashkëshortit të Spiropalit, Salarjon Totaj, dhe familjarëve të tij.
Rama luajti për muaj me radhë rolin e kryetarit tolerant, që i kuptonte edhe shpërthimet e atyre që i dilnin nga rreshti. Balluku, ndërkohë bënte punët e pista përmes njerëzve të saj dhe merr mbi supe gjithë koston publike të tyre.
Aq bukur funksionon koordinimi, saqë edhe pasi Rama propozoi përjashtimin e saj, Spiropali vazhdoi ta quante atë mentor dhe ta shihte tek Balluku dorën që godiste familjen e saj. Pa e kuptuar, dhe pa e menduar që në çdo hap që hedhin, ata janë bashkë. Të paktën deri tani./Lapsi.al













