Australia është drejt miratimit të një ligji të ri për sigurinë në internet, i cili parashikon gjoba deri në 5% të të ardhurave globale për kompanitë e mëdha teknologjike që nuk marrin masa për të parandaluar dëmet online.
Qeveria australiane dhe Partia e Gjelbër kanë arritur një marrëveshje për projektligjin e njohur si “Digital Duty of Care”, i cili pritet të kalojë në Senat të mërkurën dhe të miratohet përfundimisht në Parlament përpara përfundimit të sesionit parlamentar të enjten.
Me ndryshimet e dakordësuara, kompanitë si Google, Meta dhe TikTok mund të përballen me gjoba që arrijnë deri në 5% të të ardhurave të tyre globale, një rritje e ndjeshme nga kufiri fillestar prej 109 milionë dollarësh australianë.
Ligji i ri synon t’i detyrojë platformat online, rrjetet sociale, aplikacionet, lojërat dhe shërbimet e inteligjencës artificiale që të marrin masa paraprake për të mbrojtur përdoruesit nga përmbajtjet dhe aktivitetet e dëmshme.
Në fokus janë materialet që lidhen me abuzimin seksual të fëmijëve, imazhet intime të krijuara pa pëlqim, dhuna me bazë gjinore, nxitja e vetëdëmtimit dhe përmbajtjet terroriste.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm u jep përdoruesve mundësinë të zgjedhin të mos marrin përmbajtje të rekomanduar nga algoritmet, por të shohin vetëm postimet e personave dhe faqeve që ndjekin. Platformat do të duhet gjithashtu të vlerësojnë rreziqet që lidhen me mekanizma të tillë si lëvizja e pafundme e përmbajtjes dhe videot që nisin automatikisht.
Projektligji parashikon gjithashtu që qytetarët të kenë të drejtën të padisin kompanitë teknologjike në gjykatat australiane në rast se pësojnë dëme si pasojë e shkeljes së detyrimeve të sigurisë nga këto platforma.
Ndërkohë, autoriteti australian i sigurisë në internet do të ketë kompetenca më të gjera për të kërkuar heqjen e aplikacioneve dhe faqeve që krijojnë imazhe intime të rreme të personave realë.
Nisma është kundërshtuar nga opozita konservatore dhe administrata amerikane, të cilat kanë ngritur shqetësime se përkufizimet e gjera të përmbajtjeve të dëmshme dhe gjobat e larta mund të nxisin kufizimin e lirisë së shprehjes dhe censurimin e përmbajtjeve të ligjshme.
Me marrëveshjen e arritur mes qeverisë laburiste dhe të Gjelbërve, Australia synon të vendosë detyrime më të forta ligjore mbi kompanitë teknologjike dhe t’i bëjë ato përgjegjëse për rreziqet që krijojnë shërbimet e tyre online.













