Rama e cilësoi buxhetin e vitit 2027 si historik, duke vënë në pah vlerën prej 10 miliardë eurosh që ai arrin për herë të parë.
Por, përtej shifrës rekord, eksperti i ekonomisë Ilir Ciko sugjeron një lexim më të kujdesshëm të saj, duke theksuar se forcimi i lekut ndaj euros ndikon në vlerën e paraqitur në monedhën europiane.
Shifra rekord e buxhetit ndikohet nga forcimi i lekut
Ky vlerësim i qeverisë sipas Cikos, është i vërtetë për nga vlera nominale, por jo një fenomen i pazakontë.
Shpenzimet buxhetore arrijnë në 976 miliardë lekë, rreth 7.6% më shumë se buxheti i rishikuar i vitit 2026. Megjithatë, duke zbritur inflacionin prej rreth 3%, rritja reale rezulton afërsisht 4.5%.
Ciko shpjegon për Faktoje se kalimi i pragut prej 10 miliardë eurosh lidhet pjesërisht edhe me forcimin e lekut ndaj euros. Nëse e njëjta shumë do të konvertohej me kursin e dhjetorit 2021, kur një euro këmbehej me rreth 121 lekë, buxheti do të ishte afërsisht 8 miliardë euro.
Një tjetër problem, sipas tij, është realizimi i investimeve publike. Edhe pse ky është zëri që rritet më shumë në projektbuxhet, përvoja e viteve të mëparshme tregon vështirësi në zbatimin e tij.
Si shembull, Ciko sjell vitin 2025, kur rreth 41% e investimeve publike u shlyen vetëm gjatë muajit dhjetor.
“Pra rritja është normale, dhe zëri që rritet më shumë në projekt, investimet publike, është pikërisht ai që realizohet tradicionalisht më pak”, thekson Ciko.
Ulja e TVSH-së, jo domosdoshmërisht ulje çmimesh për konsumatorët
Me buxhetin e ri që pritet të miratohet, qytetarët mund të presin që ulja e TVSH-së për 54 produkte të shportës bazë të sjellë çmime më të përballueshme.
Por ulja e një takse nuk do të thotë domosdoshmërisht se i gjithë përfitimi do të shkojë në xhepin e konsumatorit.
Kështu deklaron për Faktoje Ciko, në një ‘skaner’ që ai i bën paketës fiskale dhe buxhetit të vitit 2027.
Sipas tij, nëse ulja e TVSH-së përcillet plotësisht te çmimet, një produkt që kushton 120 lekë duhet të shitet me rreth 106 lekë, pra me një ulje prej 11.7%.
Megjithatë, përvoja e vendeve të tjera tregon se kjo nuk ndodh gjithmonë. Ciko sjell si shembull Francën, ku konsumatorët përfituan vetëm 19% të uljes së TVSH-së në restorante, dhe Spanjën, ku për produktet ushqimore bazë u përcoll rreth gjysma e uljes.
“Në rastin tonë importi dhe shumica janë të përqendruara në pak duar dhe informaliteti është i lartë, ndaj pa një kontroll të fortë të konkurrencës, 12.8 miliardë lekët që humb buxheti rrezikojnë të përfundojnë si përfitim tregtar, jo si çmim më i ulët për konsumatorin”, paralajmëron Ciko.
Ky shqetësim është ngritur më herët edhe nga eksperti fiskal Eduart Gjokutaj, në analizën e Faktoje mbi ndikimin e uljes së TVSH-së në çmimet e ushqimeve.
Gjokutaj vlerësoi se ulja e taksës krijon mundësi për çmime më të ulëta, por nuk garanton që përfitimi të kalojë i plotë te konsumatori.
“Përfitimi mund të përthithet pjesërisht nga marzhet e tregtarëve ose hallkat e furnizimit. Nevojiten monitorim i çmimeve para dhe pas ndryshimit, transparencë
Ulja e TVSH-së për ushqimet mund të zbehet nga rritja e taksës për produktet e tjera
Përveç uljes së TVSH-së për 54 produktet ushqimore, paketa fiskale parashikon rritjen e normës standarde nga 20% në 21%. Kjo do të thotë se një pjesë e konsiderueshme e mallrave dhe shërbimeve që nuk përfshihen në listën e produkteve me TVSH të reduktuar do të përballen me normën e re.
Sipas Cikos, efekti aritmetik i kësaj rritjeje është rreth 0.8% mbi çmimin e mallrave dhe shërbimeve me normë standarde, duke përfshirë veshjet, shërbimet, energjinë dhe karburantet.
“Problemi kryesor është asimetria e veprimit në treg: rritjet e TVSH-së kalojnë në çmime shpejt dhe plotësisht, ndërsa uljet ngadalë dhe pjesërisht”, shprehet Ciko.
Sipas llogaritjeve të tij, rritja e TVSH-së standarde pritet të sjellë 10.6 miliardë lekë të ardhura shtesë në buxhet, ndërsa ulja e TVSH-së për shportën kushton 12.8 miliardë lekë.
Nëse ulja e TVSH-së për ushqimet përcillet vetëm përgjysmë te konsumatorët, ndërkohë që rritja e normës standarde reflektohet në çmime, Ciko vlerëson se familjet mund të përballen me një humbje neto prej rreth 4 miliardë lekësh.
Sipas tij, kjo barrë do të rëndojë më shumë familjet e shtresës së mesme, të cilat shpenzojnë një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave edhe për produkte e shërbime jashtë shportës bazë.
Ekonomia orientohet më shumë drejt konsumit, ndërsa investimet private mbeten sfidë
Përtej ndryshimeve në taksa, Ciko vlerëson se buxheti i vitit 2027 nuk sjell një ndryshim thelbësor në modelin ekonomik të vendit.
“Buxheti dhe paketa fiskale e çojnë edhe më tej drejt konsumit ekonominë shqiptare, ndërkohë që investimet dhe veçanërisht ato private janë çelësi për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm”, shprehet ekonomisti.
Ai vë në pikëpyetje edhe rritjen e konsiderueshme të investimeve publike, duke argumentuar se qeveria nuk ka reflektuar mbi problemet e përsëritura të realizimit të tyre.
“Rritja e konsiderueshme e investimeve publike, pa nxjerrë mësime nga përvoja e mosrealizimit në afat dhe cilësisë së tyre, ngushton edhe më tej hapësirën për investime nga sektori privat”, thekson Ciko.
Për të, shqetësim mbetet edhe shpërndarja e shpenzimeve.
“Për nevojat e qytetarëve, pesha e mbrojtjes sociale, shëndetësisë dhe arsimit bie nga 44.5% në 42.5% të shpenzimeve, ndërsa mbrojtja sociale bashkë me shërbimet publike shëndetësore mbetet rreth 12.5% e PBB-së, shifër kjo absolutisht e ulët, nën gjysmën e mesatares prej 27.5% në Bashkimin Europian (2025)”, tha ai.
Bursa 25 mijë lekë, ndihmë për studentët, por jo zgjidhje për kostot e jetesës
Rritja e bursës për studentët nga familjet në nevojë, nga 10 mijë në 25 mijë lekë në muaj, është një tjetër masë e buxhetit 2027.
Ciko e konsideron rritjen të ndjeshme, por vlerëson se shuma mbetet modeste për të përballuar kostot reale të jetesës dhe studimit, veçanërisht në Tiranë, ku ndodhet pjesa më e madhe e përfituesve.
“25 mijë lekë janë gjysma e pagës minimale prej 50 mijë lekësh që në kushtet e Tiranës, ku pjesa më e madhe e përfituesve ndodhen, është shifër modeste”, shprehet ai.
Sipas ekonomistit, situata ndryshon në varësi të mënyrës së strehimit të studentëve. Për ata që jetojnë në konvikte, ku një shtrat kushtonte deri në 5.500 lekë, bursa mund të mbulojë strehimin dhe një pjesë të madhe të ushqimit.
Ndërsa për studentët që jetojnë me qira private, kjo shumë mund të mos mjaftojë as për të përballuar plotësisht koston e strehimit, pa përfshirë ushqimin, shërbimet dhe librat.
Masa prek rreth 5,900 studentë, ndërsa shtesa për arsimin e lartë është 1.25 miliardë lekë, ose rreth 0.1% e buxhetit.
“E drejtë në drejtim, por e vogël në shkallë”, e përmbledh Ciko vlerësimin e tij për këtë masë, duke shtuar se çelësi mbetet strehimi studentor, i cili aktualisht mbulon vetëm rreth 7.000 deri në 7.500 studentë në të gjithë vendin.
Pensionistët nuk duhet të varen nga bonuset e qeverisë
Për sa i përket shpërndarjes së përfitimeve nga buxheti i ri, Ciko vlerëson se pensionistët janë kategoria që merr mbështetjen më të madhe financiare, përmes dyfishimit të fondit të bonuseve në 20 miliardë lekë.
Megjithatë, ai kundërshton mënyrën e mbështetjes përmes bonuseve, duke argumentuar se pensioni duhet të trajtohet si e drejtë e fituar nga kontributet e viteve të punës dhe jo si shpërblim i dhënë në periudha të caktuara.
“Dhënia e bonuseve është praktikë e gabuar dhe që duhet të mbyllet njëherë e mirë. Të gjithë pensionistët e sotshëm kanë kontribuar për vendin dhe pensionet e tyre janë një e drejtë për ta dhe detyrim për shtetin”, shprehet Ciko për Faktoje.
Sipas tij, skema e bonuseve krijon varësi të pensionistëve nga vendimmarrja politike, pasi shpërndarja e tyre mund të lidhet me periudha që i përshtaten më shumë qeverisë.
“Përse duhet një pensionist të marrë një bonus? As nuk ka tejkaluar planin dhe as nuk është sjellë ‘mirë’. Të gjithë ata kanë të drejtë të përfitojnë shpërblim mujor si e drejtë për të cilën kanë punuar në vite”, argumenton Ciko.
Nafta 32 lekë më lirë, por ndryshon mënyra e taksimit të automjeteve
Një tjetër masë e paketës fiskale është heqja e taksës së qarkullimit nga çmimi i karburantit dhe zhvendosja e saj te taksimi vjetor i automjetit. Qeveria ka premtuar një ulje prej rreth 32 lekësh për litër naftë.
Ciko e konsideron këtë ndryshim kryesisht një rishpërndarje të barrës fiskale, pasi një pjesë e madhe e të ardhurave të munguara nga heqja e taksës rikuperohet përmes dyfishimit të komponentit fiks të taksës vjetore të automjetit.
“Heqja e taksës kushton rreth 31 miliardë lekë bashkë me TVSH-në, por pjesa më e madhe rikthehet duke dyfishuar komponentin fiks të taksës vjetore të automjetit, ndaj kostoja neto mbetet rreth 5 miliardë lekë”, shpjegon ai.
Sipas Cikos, kjo skemë nuk i prek të gjithë pronarët e automjeteve në të njëjtën mënyrë.
Përfitojnë më shumë ata që përdorin automjetin për kilometrazh të lartë, si transportuesit dhe fermerët. Ndërsa pronarët e makinave të vjetra që përdoren pak mund të përballen me një taksë vjetore deri në 2.7 herë më të lartë.
Sipas tij lehtësimi do të jetë real vetëm nëse ulja e premtuar shfaqet e plotë në çmimin në pompë.
“Lehtësimi do të jetë real vetëm nëse 32 lekët shfaqen të plota në çmimin që konsumatori paguan, gjë që në një treg të përqendruar kërkon nga Bordi i Transparencës ta detyrojë zbatimin e plotë që nga 1 janari”, argumenton ai.
Cilat kategori rrezikojnë të jenë më të ekspozuara ndaj barrës fiskale?
Ilir Ciko identifikon edhe disa kategori që do të përballen me barrë më të lartë fiskale.
Mes tyre janë rreth 17.500 bizneset e vogla që përfshihen në skemën e TVSH-së me pragun e ri prej 5 milionë lekësh, sektori i hotelerisë që kalon nga TVSH-ja 6% në 10%, pronarët e automjeteve të vjetra dhe kompanitë që shpërndajnë dividend, për të cilat tatimi rritet nga 8% në 15%.
Ciko vëren se më pak të mbështetura mbeten familjet e varfra jashtë skemës së pensioneve, pasi ndihma ekonomike dhe mbështetja për fëmijët vijojnë të qëndrojnë në rreth 0.9% të PBB-së.
Ai gjithashtu ngre shqetësimin për mungesën e rritjes së pagave për mësuesit, mjekët dhe administratën kohë publike, me përjashtim të policisë, në një vit kur inflacioni parashikohet të jetë rreth 3%./Faktoje.al













