Dy muaj pas procedurës që për pak i mori jetën, pasojat e plota për Christa Pike, 50 vjeçe, e cila i mbijetoi një ekzekutimi të dështuar në Tennessee, mbeten ende të panjohura. Avokatët e saj i janë drejtuar gjykatës për ndërhyrje urgjente që asaj t’i sigurohet një vlerësim i specializuar psikologjik.
Kërkesa u paraqit të hënën në një gjykatë në Nashville. Në të, ekipi ligjor i Pike i kërkon gjykatës të urdhërojë Departamentin e Korrektimeve të Tennessee-s të lejojë dy ekspertë të pavarur të shëndetit mendor ta ekzaminojnë atë, pa qenë të pranishëm përfaqësues të institucionit.
Të lidhura
None found
Sipas dokumentit ligjor, bëhet fjalë për dy psikologë klinikë, njëri i specializuar në trauma komplekse dhe tjetri në torturë e trauma. Avokati i saj thekson se përmasat e plota të dëmtimeve që ajo ka pësuar gjatë ekzekutimit të dështuar “mbeten ende të panjohura”.
Megjithatë, Departamenti i Korrektimeve e kundërshton kërkesën. Në një email të përfshirë në dosjen e gjykatës, një përfaqësues ligjor i institucionit argumenton se vizitat e propozuara “do të përbënin trajtim të vazhdueshëm, gjë që, siç është thënë më parë, është e ndaluar”.
Në të njëjtin komunikim theksohet se Departamenti i Korrektimeve ka përgjegjësinë e administrimit të përgjithshëm të shërbimeve të shëndetit mendor për të burgosurit në kujdesin e tij.
Mbrojtja e Pike ka kërkuar gjithashtu mbajtjen e një seance urgjente gjyqësore për të shqyrtuar çështjen.
Christa Pike u shtrua në spital pasi i mbijetoi dy dozave të pentobarbitalit, lënda që përdoret në ekzekutimet me injeksion vdekjeprurës. Ekzekutimi i saj ishte planifikuar për 30 shtatorin, pas dënimit për vrasjen e Colleen Slemmer në vitin 1995, bashkëmoshatare e cila u rrah dhe u godit me thikë.
Pas procedurës së dështuar, gjendja e saj ishte kritike: u lidh me aparaturë për frymëmarrje artificiale dhe avokatët nuk besonin se do të mbijetonte. Megjithatë, 50-vjeçarja u zgjua dhe më vonë arriti të fliste e të ecte me ndihmën e të tjerëve.
Duke folur për gjendjen e saj muajin e kaluar, Pike përshkroi pasojat e rënda fizike dhe psikologjike që po përjeton.
“Dhimbja nuk është vetëm fizike. Ka dhimbje në mendjen time dhe në shpirtin tim. Po rikuperohem dhe e di se po bëhem më e fortë. Por shërimi nuk është e njëjta gjë si të jesh mirë”, tha Pike.
Pas dështimit të procedurës, guvernatori republikan i Tennessee-s, Bill Lee, urdhëroi hapjen e një hetimi për të zbuluar se çfarë shkoi keq në dhomën e ekzekutimit. Po ashtu, ai pezulloi pa afat një tjetër ekzekutim që pritej të kryhej gjatë këtij viti.
Por muajin e kaluar, Lee deklaroi se nuk ishte i gatshëm të ndërhynte për t’ia zbutur dënimin Christa Pike-s apo për të hequr mundësinë e ekzekutimit të saj.
“Ajo vazhdon të jetë e burgosur sipas ligjeve të shtetit të Tennessee-s”, tha guvernatori, sipas televizionit WSMV, bashkëpunëtor i CNN.
“Unë dyshoj se dënimi i saj do të mbetet i njëjtë si më parë, përveç rastit kur gjykatat vendosin ndryshe”, shtoi ai.
Ndërkohë, beteja ligjore për të drejtën e Pike-s për t’u ekzaminuar nga ekspertë të pavarur pritet të vijojë në gjykatë, ndërsa pasojat afatgjata të ekzekutimit të dështuar në shëndetin e saj fizik dhe mendor mbeten të paqarta.








