Vendosni fjalën kyçe....

Eisenkot arrin marrëveshjen e parë për koalicionin në përpjekje për qeverinë në Izrael


Partia izraelite Yashar, e drejtuar nga ish-shefi i ushtrisë Gadi Eisenkot, deklaroi të martën se kishte rënë dakord të nënshkruante një marrëveshje koalicioni me një parti të djathtë të opozitës, ndërsa përpiqet të formojë qeverinë pas zgjedhjeve të muajit të kaluar.

Yashar bëri të ditur se Eisenkot ishte takuar më herët të martën me Avigdor Liebermanin, kreun e partisë Izraeli Shtëpia Jonë, dhe se pas takimit kishin rënë dakord për një marrëveshje. Ky është aleanca e parë e këtij lloji që prej zgjedhjeve.

Parlamenti i Izraelit u betua më 10 nëntor pa pasur një qeveri të re, pasi zgjedhjet e 27 tetorit i hoqën kryeministrit Benjamin Netanyahu shumicën parlamentare, por nuk i dhanë asnjë pale tjetër një rrugë të qartë drejt pushtetit.

Presidenti Isaac Herzog i ka ngarkuar Eisenkotit detyrën për formimin e qeverisë, ndërsa Netanyahu vazhdon të jetë kryeministër në detyrë.

Aleanca e Likud-it të Netanyahut, partisë së djathtë, me partitë e ekstremit të djathtë dhe ato ultraortodokse, arriti rezultate më të mira se sa pritej në zgjedhje, por megjithatë humbi shumicën. Aktualisht, ajo zotëron 53 nga 120 vendet në Knesset.

Partia e qendrës së djathtë Yashar e Eisenkotit dhe partnerët e tij të ndryshëm të koalicionit, përfshirë Liebermanin, zotërojnë vetëm 48 vende. Megjithatë, ata kanë aleatë të mundshëm te partitë që përfaqësojnë pakicën arabe të Izraelit, të cilat kanë 19 vende dhe janë në një linjë me Eisenkotin për shkak të kundërshtimit të tyre të fortë ndaj Netanyahut.

Marrëveshja mes Eisenkotit, partia e të cilit fitoi 21 vende në parlament, dhe Liebermanit, partia e të cilit fitoi 7 vende, ishte disi e papritur, pasi Lieberman kishte shprehur hapur kundërshtimin ndaj formimit të një qeverie me mbështetjen e partive arabe, si dhe ndaj një qeverie të unitetit kombëtar me Netanyahun.

Lieberman ka deklaruar gjithashtu se synimi i tij kryesor është largimi i Netanyahut nga pushteti.

Eisenkot ka afat deri më 6 dhjetor për të formuar qeverinë, në bazë të mandatit 28-ditor, por mund të kërkojë një zgjatje prej 14 ditësh. Nëse dështon, Netanyahu do të ketë mundësinë e tij. Nëse askush nuk arrin të formojë qeverinë, vitin e ardhshëm do të mbahen zgjedhje të tjera.

Ndërkohë, vijojnë bisedimet mes Eisenkotit, disa prej partnerëve të tij të “bllokut të ndryshimit” dhe Likud-it për formimin e një qeverie të unitetit kombëtar.

Partia e majtë Demokratët, e cila fitoi 8 vende në parlament, deklaroi veçmas se po pezullonte bisedimet me Eisenkotin për shkak të përparimit të negociatave të tij me Likud-in e Netanyahut për një qeveri të mundshme të unitetit kombëtar, si dhe “për shkak të bllokimit të negociatave për formimin e një qeverie të ndryshimit”.

Yair Golan, kreu i Demokratëve, ka deklaruar se preferon një qeveri pa Netanyahun, por me partitë arabe, shkruan Reuters.