Arrestohen dy persona pas hyrjes me forcë në rezidencën e Princit William dhe Princeshës Kate

25 Nëntor 2026 | 05:04

Dy persona janë arrestuar nga policia britanike, nën dyshimin për vjedhje me thyerje dhe hyrje të paligjshme në rezidencën e fshatit të Princit William dhe bashkëshortes së tij, Princeshës Kate, në Norfolk të Anglisë.

Sipas policisë, ngjarja është raportuar mbrëmjen e së hënës, më 23 nëntor, pas një denoncimi për aktivitet të dyshimtë në një pronë që ndodhet në territorin e Sandringham Estate, rezidencë private e familjes mbretërore britanike.

Pas marrjes së njoftimit, policia ndërmori një operacion kërkimi, ku u angazhuan qen nuhatës, dronë dhe një helikopter i Shërbimit Ajror të Policisë Kombëtare. Dy të dyshuarit u lokalizuan dhe u arrestuan brenda territorit të pronës. Ata vijojnë të qëndrojnë në paraburgim, ndërsa hetimet janë në zhvillim.

Mediat britanike bëjnë me dije se bëhet fjalë për Anmer Hall, një rezidencë me 10 dhoma gjumi, e cila iu dhurua William dhe Kate nga Mbretëresha e ndjerë Elizabeth II në vitin 2011, me rastin e martesës së tyre.

Në momentin e incidentit, prona ishte bosh dhe asnjë anëtar i familjes mbretërore nuk ndodhej aty. Princi William dhe Princesha Kate e përdorin këtë rezidencë për pushime dhe qëndrime të shkurtra, ndërsa banesa e tyre kryesore ndodhet në territorin e Kështjellës Windsor, në perëndim të Londrës.

Pallati Kensington ka deklaruar se nuk komenton çështjet që lidhen me sigurinë e familjes mbretërore.

Nuk është hera e parë që pronat mbretërore bëhen objekt i incidenteve të sigurisë. Në tetor të vitit 2024, persona të maskuar hynë me forcë në territorin e Kështjellës Windsor dhe vodhën dy automjete nga një ndërtesë bujqësore.

Ndërsa në vitin 2021, një person i armatosur me hark dhe shigjetë u arrestua në ambientet e kështjellës. Ai u dënua më vonë me nëntë vite burg, pasi pranoi se kishte kërcënuar Mbretëreshën Elizabeth II.

Një tjetër incident i njohur daton në vitin 1982, kur një person arriti të hynte në dhomën private të Mbretëreshës Elizabeth II në Pallatin Buckingham, ndërsa ajo ndodhej në shtrat.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Nga luftëtarë separatistë në shoferë taksie e mësues, jeta e vështirë pas luftës në Kamerun

Dhjetë vjet pas nisjes së konfliktit separatist në rajonet anglishtfolëse të Kamerunit, ish-luftëtarët që kanë braktisur armët përballen me vështirësi në rikthimin në jetën civile....
04:25 | 25/11/2026

Gati 1 ton kokainë e fshehur mes portokalleve, arrestohen 8 persona në Londër

Autoritetet britanike kanë zbuluar gati një ton kokainë të fshehur në arka me portokalle në një prej tregjeve më të mëdha të frutave dhe perimeve...
00:05 | 25/11/2026

‘Sputnik-S’ kundër Starlink: Çfarë ndodh kur një armë bërthamore shpërthen në hapësirë?

Më 23 nëntor kishte raportime se Rusia po planifikon të lëshojë në hapësirë një satelit të pajisur me armë bërthamore, të quajtur Sputnik-S, “në çdo...
20:53 | 24/11/2026