Rreth një në dy të rritur në Maqedoninë e Veriut pi duhan. Kur llogariten edhe cigaret elektronike dhe produktet e tjera me nikotinë, përqindja e konsumuesve shkon në 54 për qind.
Të dhënat dalin nga një studim i organizatës “Analitika”, i kryer me 1.065 qytetarë dhe i prezantuar në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Të lidhura
None found
Më shumë se një e katërta e duhanpirësve konsumojnë mbi 20 cigare në ditë, ndërsa afërsisht 40 për qind pinë 10 deri në 20. Vetëm 10 për qind kanë bërë përpjekje për ta ndërprerë duhanin.
Shpenzimi mesatar i një duhanpirësi për cigare është 4.800 denarë në muaj, ose 57.600 denarë përgjatë vitit.
Pasojat ekonomike janë gjithashtu të konsiderueshme: shpenzimet e drejtpërdrejta për shëndetësi vlerësohen rreth 65 milionë euro në vit, ndërsa humbjet e tërthorta arrijnë në 530 milionë euro, sipas vlerësimeve të paraqitura në konferencë.
OBSH-ja kërkon rritje të akcizave dhe çmimeve të cigareve, masa për mbrojtjen e personave që nuk pinë duhan, si dhe hapa më të fortë për të penguar përdorimin e tij nga të rinjtë.
Ekspertët vlerësojnë se përafrimi i akcizave me nivelin mesatar evropian mund të shtojë 100 deri në 110 milionë euro në vit në buxhetin e shtetit, ndërkohë që do të ndihmonte edhe në pakësimin e duhanpirësve.







