Shpeshherë, ky mjedis përshkruhet si kufiri i fundit i Tokës – një hapësirë e gjerë, e errët dhe e egër, që duket sikur nuk është prekur kurrë nga aktiviteti njerëzor.

Megjithatë, një ekspeditë në thellësitë e Gjirit të Meksikës ka nxjerrë në pah shtrirjen e ndikimit tonë, duke zbuluar një fushë të çuditshme mbeturinash, të përbërë nga lavatriçe, frigoriferë dhe ngrirës horizontalë, rreth 1500 metra nën sipërfaqen e ujit, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.


Në vitin 2017, një ekip studiuesish nga Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike e SHBA-së (NOAA) po e eksploronte zonën, duke menduar se do të gjenin mbetjet e ndonjë anijeje të mbytur.

Por pamjet e marra nga mjeti i tyre nënujor i telekomanduar (ROV) – të cilat u bënë publike vetëm së fundmi – zbuluan një "varrezë" pajisjesh shtëpiake.

"Kjo është disi sureale", u shpreh një anëtar i ekipit.

"Jemi në një thellësi prej 1,5 kilometrash nën det dhe po lëvizim mes një fushe të mbushur me ngrirës horizontalë, frigoriferë dhe lavatriçe".

"Shpesh mendohet se thellësitë e oqeanit janë vende të paprekura, por ky është një kujtesë se, në fakt, nuk është kështu. Ne arrijmë të ushtrojmë ndikim edhe në këtë mjedis dhe ekosistem që duket krejtësisht i huaj për ne".

Ndërsa mjeti nënujor (ROV) eksploronte thellësitë, një nga studiuesit dëgjohet të thotë: "Sot është vërtet një ditë eksplorimi, ndërsa e drejtojmë mjetin drejt këtij objektivi të panjohur, të diktuar nga sonari".

"Po punojmë bazuar në një imazh të marrë nga sonari i një mjeti tjetër autonom nënujor (AUV). Imazhi tregonte një fushë mbeturinash, si dhe një objekt më të madh, i cili mund të jetë trupi i një anijeje".

Megjithatë, kur pamjet u bënë më të qarta, u dalluan radhë të tëra pajisjesh shtëpiake të shpërndara në shtratin e detit.

Disa prej pajisjeve ishin pjesërisht të mbuluara nga sedimentet, ndërsa të tjera ishin shndërruar në strehë për krijesa të thellësive detare.

Pasi kuptuan se çfarë kishin përpara, njëri prej tyre bëri shaka: "Dyshoj se pajisja e rrotullimit do të funksionojë ende. Do të doja t'ia ktheja këtë prodhuesit dhe të pyesja për garancinë".

Ekspertët besojnë se pajisjet kanë qenë të ngarkuara brenda një kontejneri transporti, i cili ka rënë në det gjatë një stuhie, përpara se të fundosej në shtratin e oqeanit.

Deri në 90 për qind e mallrave në botë transportohen me kontejnerë detarë, përpara se të shkarkohen dhe të dërgohen në dyqanet ku shiten.

Sipas Këshillit Botëror të Transportit Detar (World Shipping Council), në vitin 2025 humbën në det pothuajse 1.500 kontejnerë, si pasojë e stuhive, dallgëve të fuqishme dhe aksidenteve. /Telegrafi/