Mjegulla e dendur dhe temperaturat e ulëta kanë përfshirë Kukësin që në orët e para të mëngjesit, duke krijuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve, veçanërisht në rrugët e larta malore, ku janë shfaqur edhe ngrica.

Prezenca e mjegullës ka edhe në Rrugën e Kombit, ku dukshmëria e kufizuar kërkon kujdes të shtuar nga drejtuesit e automjeteve. Për shkak të kushteve atmosferike, rekomandohet ulja e shpejtësisë, përdorimi i dritave dhe respektimi i sinjalistikës rrugore, me qëllim shmangien e incidenteve.

Ndërkohë, kompania përgjegjëse për mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit ka ndërhyrë me trajtimin me kripë në segmentet ku është evidentuar prania e ngricave, për të parandaluar rrëshqitjet dhe për të garantuar siguri më të madhe për përdoruesit e rrugës.

Situata kërkon vëmendje të shtuar nga drejtuesit e mjeteve, sidomos në akset malore, ku temperaturat e ulëta dhe mjegulla mund të krijojnë kushte të vështira për udhëtim.