Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri, ka deklaruar se kërkesat për zbardhjen e vrasjeve politike të pasluftës nuk mund të ndalen nga askush.
Gjatë një interviste televizive, ajo tha se figurat dhe zyrtarët e LDK-së nuk u vranë për përfitime ekonomike, pasuri apo çështje biznesi, por për Kosovën.
Të lidhura
None found
Gaxherri nënvizoi se këto raste duhet të rikthehen në vëmendje dhe se drejtësia për viktimat duhet kërkuar pa u ndikuar nga reagimet ndaj familjarëve të tyre.
“Baza e angazhimit tonë politik, sikurse e çdo politikani, duhet të jetë Kosova. Ky angazhim zhvillohet përmes një subjekti politik dhe, në rastin tim, përmes LDK-së, për të cilën jam krenare, për themelin, ideatorin, punën e saj dhe kontributin tim në këtë subjekt. Pa synuar të mbroj askënd, qoftë në detyrë sot apo të ketë qenë më parë, duhet të vlerësojmë momentet kur kemi luftuar dhe vazhdojmë të luftojmë. Askush nuk mund të na ndalojë të kërkojmë zbardhjen e vrasjeve politike. Askush dhe asnjëherë”, u shpreh ajo.
Ajo shtoi se do t’i përmendë këto vrasje sa herë ta konsiderojë të nevojshme, pasi, sipas saj, ato ishin vrasje politike. “Ata nuk u vranë për prona, për biznes apo për përfitimin e pasurisë së Kosovës pas luftës. Zyrtarët e LDK-së nuk u vranë për këto arsye. Për këtë arsye, nuk është e drejtë të reagojnë ndaj familjarëve të tyre, të cilët humbën njerëzit e afërt. Ata u vranë për Kosovën dhe për ju që i trajtoni këto tema në studio, edhe kur mes jush ka njerëz të paskrupullt që nuk zgjedhin fjalorin e duhur, jo sepse nuk dinë, por sepse nuk duan ta bëjnë këtë. Ata u vranë për Kosovën”, deklaroi Gaxherri.






