6 akuza penale / Zbulohet kallëzimi i plotë për Elisa Spiropalin, fshehu dy vila në TEG dhe restorant në Bllok, pastrim parash dhe skemë korrupsioni, përlau tendera me firmën e burrit dhe në emrin e vëllait

Krim & Korrupsion

Publikuar: 25/11/2026

6 akuza penale / Zbulohet kallëzimi i plotë për Elisa Spiropalin, fshehu dy vila në TEG dhe restorant në Bllok, pastrim parash dhe skemë korrupsioni, përlau tendera me firmën e burrit dhe në emrin e vëllait

Prokurori i SPAK Bledar Maksuti po heton Elisa Spiropalin dhe familarët e saj për gjashtë vepra të dyshuara penale si korrupsion, pastrim parash, shpërdorim detyre, deklarim të rremë, fshehje pasurie dhe shkelje të barazisë në tendera. Hetimet kanë nisur bazuar në një kallëzim penal të referuar në SPAK për aktivitetin e dyshuar të paligjshëm të Spiropalit, bashkëshortit të saj Salarjon Totaj, vëllait të saj dhe kunatave. Në materialin kallëzues jepen informacione të detajuara për aktivitetin korruptiv të Spiropalit, pasuritë, transaksionet, bizneset e kamufluara, skemat korruptive, pastrimin e parave etj.

Përpos të tjerave, Spiropali dyshohet se ka fshehur dy vila në TEG dhe një restorant në ish Bllok. Pasuritë i ka kamufluar në emër të prindërve dhe kompanive të bashkëshortit dhe kunatave. Elisa Spiropali, ish ministre e Jashtme, ish kryetare e Kuvendit dhe ish drejtoreshë e Doganave, dyshohet se ka përdorur funksionet shtetërore dhe influencat e saj për të përfituar në mënyrë të padrejtë para dhe prona publike, përmes familjarëve të saj. 

Në materialin kallëzues pretendohet se zonja Spiropali ka deklaruar kursime vjetore nga pagat në vlera që nuk justifikohen me koston e jetesës, ndërsa bashkëshorti, përpos dhuratave të dyshimta, ka deklaruar dividnet deri në 40 mijë euro në vit nga kompania e tij Salt shpk, në një kohë kur nuk rezulton që kjo kompani të ketë shpërndarë divident, duke ngritur dyshime për mashtrim dhe skemë pastrimi parash. 

Një tjetër fakt penal i parashtruar në kallëzim konsiston në përfitimin e paligjshëm të tenderave publikë nga zonja Spiropali, përmes vëllait të saj Enkli Spiropali nga Ujësjellësi i Fierit me në krye Salarjon Totaj, pra bashkëshortin e saj. Në gusht të vitit 2013, disa muaj pasi Partia Socialiste fitoi zgjedhjet parlamentare, vëllai i Elisa Spiropalit, Enkli Spiropali themeloi në Fier kompaninë Solomon Construction. Në 27 mars 2014, Salarjon Totaj i jep një tender me vlerë 66 mijë euro vëllait të Spiropalit Enkli Spiropali, si drejtor i Ujësjellësit të Fierit.

Kompania Solomon Construction u ble më pas nga kompania Fortes Construction, me pronare të dy kunatave të Elisa Spiropalit, Blerina dhe Luranda Totaj. Përmes kompanisë “Solomon Construction”, Totajt kanë siguruar edhe një kontratë qiraje 90-vjeçare me Ministrinë e Bujqësisë për kultivim ullinjsh në sipërfaqe 19 hektarë në pronësi të shtetit në Patos. Dokumentat e Ministrisë së Bujqësisë thonë se “Solomon Construction” e ka marrë këtë sipërfaqe toke me qira për 90 vjet, me vlerë 465 mijë lekë të reja në vit ose rreth 40 mijë lekë të reja në muaj.

Ndërkaq, në materialin kallëzues, i kërkohet SPAK-ut të verifikojë për interesa të mundshme të paligjshme të çiftit Spiropali-Totaj me kompaninë e supervizionit dhe kolaudimit ARKONSTUDIO, me bashkëpronar Erjon Këri dhe Krenar Dila, të cilët kanë përfituar në bashkëpunim me subjekte të tjera rreth 49 milionë euro tendera publikë.

Në kallëzim thuhet gjithashtu se bashkëshorti i Spiropalit, në vitin 2017, ka shitur një makinë në vlerën 30 mijë euro. Në kallëzim ngrihen dyshime për pastrim parash pasi nuk rezulton që Totaj të kishte deklaruar më parë një makinë të tillë. Në kallëzim ngrihen dyshime për burimin e të ardhurave për blerjen e një apartamenti 65 m2 me vlerë 55 mijë euro nga Salarjon Totaj.

Kallëzimi i plotë