“E pa kur e goditi me sëpatë dhe…”/ Detaje tronditëse nga dosja për vrasjen e Arlinda Zekajt, ish-vjehrra e monitoronte, ish-kunati i dërgonte pamjet

25/11/2026 08:11

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për katër persona të dyshuar për përfshirje në vrasjen e Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor 2026 në Vitomiricë të Pejës. Në mesin e personave për të cilët është kërkuar paraburgimi janë Nurije Sylaj, ish-vjehrra e viktimës, dhe Driton Sylaj, ish-kunati i saj. Dy të dyshuarit e tjerë janë Metë Pepaj dhe Gëzim Bobi, të cilët dyshohet se ndihmuan autorin e dyshuar të krimit pas vrasjes.

Ndërkohë, hetimet janë zgjeruar edhe ndaj ish-bashkëshortit të Arlindës, Jeton Sylaj, i cili dyshohet për nxitje të vrasjes së rëndë. Sipas dosjes së Prokurorisë, të siguruar nga media “Betimi për Drejtësi”, Nurije Sylaj dyshohet se kishte fotografuar dhe regjistruar vazhdimisht lëvizjet e Arlindës pasi kjo e fundit ishte kthyer të jetonte në shtëpinë familjare, më 22 tetor.

Në telefonin e ish-vjehrrës, sipas hetimeve, është gjetur edhe një video e datës 23 tetor, ku Arlinda shihet duke ecur në qytet. Prokuroria dyshon se pamjet ishin realizuar nga Driton Sylaj dhe më pas i ishin dërguar Nurije Sylajt përmes aplikacionit WhatsApp.

Sipas organit të akuzës, këto veprime dyshohet se ishin pjesë e një koordinimi paraprak për të siguruar informacione mbi lëvizjet dhe vendndodhjen e viktimës, duke lehtësuar kështu realizimin e planit kriminal.

Dosja përmban gjithashtu pretendimin se Nurije Sylaj ishte e pranishme në banesë në momentin kur Albert Sylaj sulmoi Arlindën me sëpatë, por nuk ndërhyri për ta ndaluar.

Prokuroria dyshon gjithashtu se, pas ngjarjes, ajo ka dhënë një dëshmi që nuk përputhej me pamjet e kamerave të sigurisë, me qëllim fshehjen e rrethanave të vërteta të vrasjes. Edhe Driton Sylaj dyshohet se ka ndihmuar në përgatitjen e vrasjes duke siguruar informacione për lëvizjet e Arlindës.

Sipas Prokurorisë, ai kishte regjistruar viktimën më 23 tetor dhe videon ia kishte dërguar ish-vjehrrës së saj. Hetuesit dyshojnë se ky material ishte përdorur për të përcjellë vendndodhjen dhe lëvizjet e saj.

Në dosje thuhet gjithashtu se, pas vrasjes, Albert Sylaj e kishte njoftuar Driton Sylajn për ngjarjen. Për këtë arsye, të dyshuarit Nurije dhe Driton Sylaj akuzohen në këtë fazë të hetimit për ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë.

Prokuroria ka kërkuar paraburgim edhe për Metë Pepajn dhe Gëzim Bobin, të cilët dyshohet se ndihmuan Albert Sylajn t’u shmangej autoriteteve pas vrasjes.

Sipas dosjes, më 25 tetor, Pepaj e mori Albert Sylajn me automjet dhe e transportoi drejt fshatit Bec, me qëllim që ta largonte nga zona ku mund të identifikohej dhe arrestohej nga policia. Më pas, Gëzim Bobi dyshohet se e strehoi në banesën e tij në Gjakovë. Një ditë më vonë, më 26 tetor, ai dyshohet se e transportoi me automjet drejt fshatit Maznik, për ta ndihmuar të vazhdonte të fshihej nga autoritetet.

Një tjetër element i rëndësishëm i dosjes lidhet me komunikimet e zbuluara në telefonat e sekuestruar gjatë hetimeve. Sipas Prokurorisë, janë identifikuar mesazhe kërcënuese ndaj një dëshmitareje dhe një vajze të mitur. Organi i akuzës vlerëson se këto komunikime tregojnë ekzistencën e një klime presioni dhe frikësimi ndaj personave që mund të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes. Në një prej mesazheve të përfshira në dosje, dërguesi përdor gjuhë kërcënuese ndaj dy personave, duke iu referuar mundësisë që ata të tregojnë informacione për ngjarjen.

Prokuroria thekson se komunikimet ndërmjet Nurije dhe Driton Sylajt tregojnë se shqetësimi i tyre kryesor ishte mundësia e zbulimit të përfshirjes së tyre në krim dhe jo pasojat e rënda të vrasjes së Arlinda Zekajt. Sipas dosjes, këto komunikime duhet të vlerësohen së bashku me provat e tjera për të përcaktuar rolin e secilit prej të dyshuarve në planifikimin dhe realizimin e vrasjes.

Prokuroria ka argumentuar se ekziston rreziku që të dyshuarit, nëse lihen të lirë, të ndikojnë te dëshmitarët, t’i frikësojnë ata ose të pengojnë zhvillimin e hetimeve. Një tjetër arsye e paraqitur në kërkesën për paraburgim është mundësia e përsëritjes së veprave penale, duke marrë parasysh rrethanat e ngjarjes dhe sjelljet e dyshuara pas vrasjes. Organi i akuzës vlerëson se masat alternative nuk do të ishin të mjaftueshme për të garantuar zhvillimin e rregullt të procedurës penale.

Arlinda Zekaj, 49 vjeçe, u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës. Si autor i dyshuar i vrasjes është identifikuar ish-kunati i saj, Albert Sylaj. Rasti ka shkaktuar reagime të shumta në Kosovë, veçanërisht për shkak të denoncimeve të mëparshme të viktimës lidhur me rrezikun që i kanosej dhe kërkesave të saj për mbrojtje nga institucionet. Hetimet vijojnë, ndërsa përgjegjësia penale e personave të dyshuar do të përcaktohet nga gjykata.

Top Channel