Vrasja e Arlinda Zekajt ka rikthyer debatin mbi detyrimin e institucioneve për t’u përgjigjur rasteve të dhunës në familje dhe për të mbrojtur gratë që përballen me të.
Kuvendi i Kosovës ka ngritur një Komision Hetimor Parlamentar për të shqyrtuar veprimet dhe mosveprimet e institucioneve në këtë rast. Komisioni ka nisur marrjen në pyetje të zyrtarëve të Qendrës për Punë Sociale në Pejë dhe të përfaqësuesve komunalë.
Të lidhura
None found
Në dëshmitë e deritanishme janë përmendur mangësi në trajtimin e rastit. Drejtuesi i Qendrës për Punë Sociale në Pejë, Durim Kelmendi, ka pranuar se nuk ishte hartuar plan individual për rastin e Arlinda Zekajt. Ndërsa zyrtari Shpat Morina ka konfirmuar se djali i viktimës ishte intervistuar në stacionin policor pa praninë e një psikologu.
“Kur fëmija u intervistua në stacionin e Policisë në Vitomiricë, nuk kishte psikolog”, ka deklaruar Morina para Komisionit.
Në seancat dëgjimore kanë dëshmuar edhe drejtoresha e QPS-së, Shpresa Lukaj, menaxherja e rastit Toska Gega dhe kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.
Lukaj foli edhe për ankesën që Arlinda Zekaj kishte paraqitur ndaj një zyrtari të angazhuar në trajtimin e rastit. Sipas saj, ankesa ishte përcjellë përmes avokates së Zekajt.
“Nuk jam takuar asnjëherë drejtpërdrejt me të ndjerën. Ajo i ishte drejtuar drejtoreshës së drejtoratit, sepse njiheshin dhe ishin bashkëvendase. Përmes avokates na erdhi një ankesë nga Arlinda ndaj zyrtarit që kishte marrë pjesë në rastin e raportimit të dhunës. Ajo mendonte se ishte trajtuar në mënyrë të njëanshme. Ne e konsideruam ankesën të paarsyeshme dhe të pabazë”, u shpreh Lukaj.
Rexhepi: Femicidi është çështje shoqërore dhe institucionale, përgjegjësia duhet kërkuar në çdo nivel
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe anëtarja e Komisionit Hetimor Parlamentar për vrasjen e Arlinda Zekajt, Emilija Rexhepi, ka ngritur shqetësime për reagimin e institucioneve përgjegjëse dhe për mangësitë e mundshme profesionale në Qendrën për Punë Sociale në Pejë.

Në një prononcim për “Bota sot”, Rexhepi tha se gjatë javës kishte marrë pjesë në intervistimin e punonjësve të Qendrës për Punë Sociale në Pejë dhe të kryetarit të komunës, Gazmend Muhaxheri.
Ajo e përshkroi rastin si tejet të dhimbshëm dhe të ndjeshëm, duke kërkuar që hetimi të zhvillohet me seriozitet e përgjegjësi dhe jo të përdoret për promovim personal.
“Si anëtare e Komisionit Hetimor Parlamentar për vrasjen e Arlinda Zekajt, këtë javë kam qenë e pranishme në intervistimin e punonjësve të Qendrës për Punë Sociale në Komunën e Pejës dhe të kryetarit Gazmend Muhaxheri.
Si grua dhe nënë, e përjetoj këtë si një çështje veçanërisht të ndjeshme dhe të dhimbshme. Nuk jam ndër deputetët që e shfrytëzojnë një vrasje kaq të rëndë për promovim në media apo paraqitje televizive. Ky rast kërkon seriozitet, përgjegjësi dhe respekt të posaçëm për viktimën dhe familjen e saj”, tha Rexhepi.
Duke analizuar shkaqet e femicidit, Rexhepi tha se ato lidhen me modele të rrënjosura në shoqëri, që shfaqen në familje, në arsim dhe në tregun e punës, ku ende hasen stereotipe gjinore.
“Femicidi përbën një problem të rëndë shoqëror dhe institucional.
Rrënjët e problemit shfaqen që në familje, kur djemve u jepen privilegje që vajzave shpesh u mohohen. Këto sjellje përcillen edhe në arsim dhe më pas në punësim, ku vazhdojnë paragjykimet se gratë nuk mund ose nuk duhet të mbajnë disa pozita apo të ushtrojnë profesione të caktuara.
Ky mentalitet shfaqet, për fat të keq, edhe në martesë. Disa burra i trajtojnë bashkëshortet si pronë dhe mendojnë se mund të vendosin për jetën e tyre. Në rastet më të rënda, këto bindje dhe dhuna sjellin pasoja tragjike, deri në vrasjen e grave”, theksoi ajo.
Për përgjegjësinë e institucioneve, Rexhepi shprehu shqetësim për mungesën e profesionalizmit dhe të metat e mundshme në përkrahjen e personave që kanë nevojë për mbrojtje.
Sipas saj, intervistimet e deritanishme kanë krijuar përshtypjen se Qendra për Punë Sociale në Pejë ka probleme serioze në qasjen profesionale ndaj rasteve të tilla.
“Nga ato që kemi dëgjuar deri tani prej punonjësve të Qendrës për Punë Sociale në Pejë, kam krijuar përshtypjen se ka një problem serioz me qasjen profesionale ndaj rasteve të këtij lloji.
Më shqetëson posaçërisht informacioni se në mesin e të punësuarve ka kryesisht juristë dhe ekonomistë. Kjo ngre pikëpyetje se si një institucion me këtë përbërje personeli mund t’u ofrojë mbështetjen e duhur sociale dhe psikologjike njerëzve në rrethana të vështira jetësore.
Përshtypja ime paraprake është se që në fillim të trajtimit të rastit të Arlinda Zekajt nga Qendra për Punë Sociale ka pasur shenja serioze të një qasjeje joprofesionale. Përfundime përfundimtare, megjithatë, mund të nxjerrim vetëm pasi të dëgjohen përfaqësuesit e të gjitha institucioneve përkatëse dhe të shqyrtohet i gjithë dokumentacioni”, deklaroi nënkryetarja e Kuvendit.
Përgjegjësia politike mbetet e mundshme nëse konstatohen dështime sistemike
E pyetur për mospërputhjet e mundshme mes dëshmive dhe përgjegjësitë konkrete të institucioneve, Rexhepi tha se nuk është koha për përfundime, pasi intervistimet vazhdojnë.
Ajo nënvizoi se Komisioni duhet të shqyrtojë me kujdes deklaratat, dokumentet dhe veprimet e institucioneve kompetente për të kuptuar çfarë ka ndodhur dhe nëse detyrat institucionale janë kryer siç duhet.
“Nuk dua që në këtë fazë të nxjerr përfundime të parakohshme për mospërputhjet e mundshme në dëshmitë e zyrtarëve.
Si anëtarë të Komisionit Hetimor Parlamentar, duhet t’i analizojmë me kujdes të gjitha deklaratat, dokumentacionin dhe veprimet e institucioneve përgjegjëse. Kështu mund të përcaktojmë çfarë ka ndodhur në të vërtetë, kush ka pasur përgjegjësi e kompetenca dhe nëse ato janë ushtruar siç duhet.
Procesi i intervistimit nuk ka përfunduar dhe na presin edhe dëshmitë e përfaqësuesve të institucioneve të tjera. Pa shqyrtuar të gjitha faktet përkatëse, është ende herët për të folur për gjetje përfundimtare”, tha Rexhepi.
Ajo shtoi se, nëse hetimi vërteton se neglizhenca apo veprimet joprofesionale bënë që Arlinda Zekaj të mos merrte mbrojtjen e nevojshme, përgjegjësia duhet kërkuar në të gjitha nivelet.
“Përgjegjësia duhet të shtrihet në të gjitha nivelet, nëse hetimi konstaton se mangësitë institucionale, neglizhenca apo sjelljet joprofesionale kanë ndikuar që viktima të mos përfitonte mbrojtjen e nevojshme.
Drejtuesit e institucioneve kanë përgjegjësi të veçantë që të sigurojnë punë profesionale, personel me përgatitjen e duhur dhe reagim të shpejtë ndaj dhunës kundër grave.
Nëse dalin në pah dështime sistemike, duhet shqyrtuar edhe përgjegjësia politike e drejtuesve përkatës.
Nuk dua të fajësoj askënd para kohe dhe as të nxjerr përfundime pa përfunduar punën e Komisionit”, deklaroi ajo.
Rexhepi tha se pret që hetimi parlamentar të sjellë përcaktimin e përgjegjësive dhe largimin e mangësive që mund të kenë ndikuar në rastin e Zekajt, e jo të mbetet vetëm një procedurë institucionale.
“Për mua ka rëndësi që ky hetim parlamentar të mos përfundojë si një procedurë e zakonshme institucionale, por të ndihmojë në përcaktimin e përgjegjësive, adresimin e mangësive sistemike dhe ndërtimin e mekanizmave më efektivë për mbrojtjen e grave.
Nuk mund ta kthejmë Arlinda Zekajn në jetë. Por kemi detyrim moral, shoqëror dhe institucional të bëjmë çmos që tragjedi të tilla të mos ndodhin sërish”, përfundoi Rexhepi për “Bota sot”.
Baloku: Dëshmitë e zyrtarëve nuk përputhen, neglizhenca u shtri nga trajtimi fillestar deri te drejtuesit komunalë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe anëtari i Komisionit Hetimor Parlamentar, Armend Baloku, tha për “Bota sot” se gjatë intervistimeve janë vërejtur dallime mes deklaratave të zyrtarëve komunalë. Sipas tij, kjo ngre shqetësime për përmbushjen e përgjegjësive institucionale në rastin e Arlinda Zekajt.
Baloku bëri të ditur se Komisioni ka dëgjuar zyrtarë të Qendrës për Punë Sociale, Zyrës për Barazi Gjinore dhe Drejtorisë për Mirëqenie Sociale, si edhe kryetarin e Pejës, Gazmend Muhaxheri.
“Jemi në fazën e intervistimit të dëshmitarëve. Deri tani kemi përfunduar me zyrtarët e Qendrës për Punë Sociale në Pejë dhe Zyrës për Barazi Gjinore në komunë. Dje, të hënën, intervistuam edhe Drejtorinë për Mirëqenie Sociale dhe kryetarin e komunës”, tha Baloku.
Ai njoftoi se raporti i parë i Komisionit parashihet të hartohet pas tre muajsh, ndërsa raporti përfundimtar pritet pas gjashtë muajsh ose në mbyllje të mandatit të tij.
“Raportin e parë do ta përgatisim pas 3 muajsh, ndërsa raportin përfundimtar pas 6 muajsh ose në fund të mandatit të Komisionit”, theksoi ai.
Sipas Balokut, dëshmitë e marra deri tani kanë nxjerrë mospërputhje mes deklaratave të zyrtarëve të komunës. Ai tha se këto dallime sugjerojnë neglizhencë në kryerjen e detyrimeve, nga faza e parë e trajtimit të rastit deri te udhëheqja komunale.
“Nga intervistat që deri tani i kemi zhvilluar publikisht, shihen mospërputhje në deklaratat e zyrtarëve komunalë. Kjo na bën të mendojmë se neglizhenca në detyrimet që kishin marrë përsipër ka nisur që në fillim dhe është shtrirë deri në udhëheqjen e komunës.
Besoj se gjatë punës do të dalin edhe elemente të tjera dhe do të bëhen të qarta veprime apo mosveprime të mëtejshme të institucioneve”, përfundoi Baloku për “Bota sot”.








