Një moment dramatik është regjistruar në qytetin bregdetar të Cannon Beach, në shtetin amerikan të Oregonit, ku një valë e fuqishme ka marrë përpara një burrë dhe qenin e tij, duke i tërhequr në det. Ngjarja është filmuar nga një dëshmitar okular, ndërsa pamjet janë publikuar nga policia lokale. Incidenti ndodhi të martën në mëngjes, më 24 nëntor, në një kohë kur bregdeti i Oregonit po përjetonte të ashtuquajturat “Batica Mbretërore” (King Tides), një fenomen natyror që shoqërohet me ngritjen e pazakontë të nivelit të detit dhe dallgë më të fuqishme se zakonisht.

Sipas policisë, burri ishte paralajmëruar për rrezikun më pak se dy orë përpara incidentit. Rreth orës 08:50, një efektiv e kishte parë duke drejtuar makinën drejt plazhit, pasi ai kishte shprehur dëshirën për të parë nga afër dallgët. Polici e gjobiti për drejtimin e automjetit në bregdet dhe e këshilloi të qëndronte larg ujit, për shkak të sjelljes së paparashikueshme të valëve.

Megjithatë, rreth orës 10:30, policia dhe zjarrfikësit morën një njoftim se një burrë dhe qeni i tij ishin marrë nga dallgët. Autoritetet konstatuan se bëhej fjalë për të njëjtin person që ishte paralajmëruar më herët.

Në pamjet e publikuara, burri shihet duke qëndruar në shkallët që të çojnë drejt plazhit, ndërsa qenin e mbante të lidhur me zinxhir dhe e kishte lënë të ecte në rërë. Në një moment, një dallgë e madhe përplaset në breg dhe i merr të dy me vete, duke i tërhequr në det.

Për fat të mirë, ngjarja nuk përfundoi në tragjedi. Si burri, ashtu edhe qeni i tij arritën të kapeshin në një tjetër shkallë që të çonte drejt bregut dhe dolën nga uji pa pësuar lëndime.

Policia publikoi videon për të ndërgjegjësuar banorët dhe vizitorët mbi rrezikun që paraqesin baticat ekstreme. Në deklaratën e saj, ajo theksoi se, pavarësisht spektaklit që ofrojnë këto fenomene natyrore, askush nuk duhet të rrezikojë jetën për të fotografuar apo filmuar dallgët nga afër. Autoritetet u shprehën gjithashtu mirënjohëse që incidenti nuk përfundoi me pasoja tragjike, duke paralajmëruar se rreziku nuk prek vetëm personat që afrohen pranë detit, por edhe ekipet e shpëtimit që mund të thirren për ndërhyrje.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb