Kartoni i kuq i Leny Yoros, i marrë gjatë humbjes 4-0 të Manchester Unitedit ndaj Liverpoolit, është anuluar pasi klubi nga “Old Trafford” fitoi ankesën për përjashtim të padrejtë.

Yoro u ndëshkua me karton të kuq direkt në minutën e tetë të ndeshjes në “Anfield”, kur rezultati ishte ende 0-0, pasi gjyqtari vlerësoi se francezi kishte shkaktuar faull ndaj Alexander Isakut jashtë zonës së rreptësisë, duke i mohuar një mundësi të qartë shënimi.


Shefi i organizatës së gjyqtarëve profesionistë, Howard Webb, kishte mbështetur vendimin për përjashtimin e mbrojtësit, duke argumentuar se ai nuk ishte “qartazi i gabuar”. Megjithatë, një panel i pavarur prej tre anëtarësh i Federatës Angleze të Futbollit (FA) nuk u pajtua dhe vendosi ta anulonte kartonin e kuq.

Arsyeja e saktë e këtij vendimi ende nuk është bërë e ditur. Nuk dihet nëse paneli ka vlerësuar se nuk kishte pasur fare faull apo se Isak nuk do të arrinte te topi. Arsyetimi i plotë pritet të publikohet në ditët në vijim.

Ndërkohë, në rrjetet sociale është shfaqur një kënd i ri i aksionit, i cili mund të mos u pëlqejë tifozëve të Manchester Unitedit.

Pamjet e para kishin treguar se Matthijs de Ligt e kishte lexuar gabimisht trajektoren e topit, duke i lejuar Isakut të ndryshonte drejtimin e vrapimit dhe të përfitonte nga pasimi i gjatë i Ronald Araujos.

Por një kënd tjetër i publikuar në rrjetet sociale tregon se sa shumë efekt i dha topit Araujo me pasimin e tij, duke e nxjerrë praktikisht De Ligtin jashtë aksionit.

Mbrojtësi holandez fillimisht e ndoqi lëvizjen e Isakut, derisa topi ishte në ajër, por papritur u kthye për t’u pozicionuar përballë topit. Pikërisht në atë moment e humbi plotësisht nga shikimi.

Topi vazhdoi të merrte një trajektore të lakuar drejt zonës së rreptësisë, ndërsa vendimi i De Ligtit në atë fraksion sekonde ia pamundësoi rikthimin në aksion. Si pasojë, ishte Yoro ai që u detyrua të vraponte për ta ndalur pasimin./Telegrafi/