Të paktën shtatë palestinezë kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve ajrore izraelite në Rripin e Gazës. Mes viktimave raportohet edhe një prej drejtuesve të lartë të strukturave të sigurisë së Hamasit, bëjnë të ditur autoritetet shëndetësore dhe ekipet e shpëtimit.

Sipas Ministrisë së Brendshme në Gaza, Naeem Abu Nahel, 50 vjeç, i cili drejtonte shërbimin e sigurisë së brendshme të Hamasit, u vra gjatë një sulmi në pjesën perëndimore të qytetit të Gazës.

Abu Nahel ishte emëruar në këtë pozicion në muajin shtator, pas arrestimit të paraardhësit të tij nga forcat speciale izraelite. Vrasja e tij u konfirmua edhe nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, të cilët deklaruan se ai ishte goditur nga ushtria izraelite.

Ndërkohë, gjashtë palestinezët e tjerë u vranë në dy sulme të ndara, të kryera më herët në zona të ndryshme të Rripit të Gazës.

Tre persona, përfshirë një adoleshent, humbën jetën në zonën e Uadi Gaza, në jug të qytetit të Gazës. Tre viktimat e tjera u regjistruan pas një sulmi ajror ndaj një stacioni policie në al-Mauasi, në perëndim të Khan Younis.

Autoritetet lokale bëjnë me dije se dy nga personat e vrarë në sulmin ndaj stacionit të policisë ishin pjesëtarë të forcave policore.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: