Çiftet e reja nuk duhet të presin me vite për ndërtimin e pallateve të reja që të sigurojnë banesën e parë, pasi këto shtëpi ekzistojnë tashmë, por mbeten të pabanuara, deklarojnë nga RDM.
Sipas RDM-së, politika e strehimit nuk duhet të fokusohet vetëm te nxitja e ndërtimeve të reja, veçanërisht kur kjo sjell edhe zhdukjen e sipërfaqeve të gjelbra, ndërkohë që dhjetëra mijëra banesa të përfunduara janë jashtë tregut.
Të lidhura
None found
Organizata thekson se nuk kërkohen as ndërtime të tjera masive dhe as zgjidhje të reja ligjore, pasi Ligji për Taksat mbi Pronën parashikon tashmë masa konkrete. Në rastin e pronës së regjistruar, taksa mund të jetë trefish më e lartë, ose 0.30%, ndërsa për pronën e padeklaruar, bosh, të papërdorur dhe të pa dhënë me qira për më shumë se gjashtë muaj, ajo mund të arrijë në pesëfishin e normës bazë, pra 0.50%. Norma standarde është 0.10%, ndërsa për shtëpinë ku banon pronari është 0.05%.
RDM vlerëson se zbatimi i këtij ligji do të mundësonte mbledhjen e 10.24 milionë eurove në vit vetëm në Shkup dhe Kumanovë. Me këto të ardhura, mbi 1.200 çifte të reja do të mund të blinin banesën e tyre të parë çdo vit.
Problemi, sipas tyre, lidhet me faktin se komunat nuk i përputhin të dhënat për adresën e regjistruar të banimit dhe kontratat e regjistruara të qirasë me konsumin zero të energjisë elektrike dhe ujit. Si pasojë, investitorët dhe spekulantët që mbajnë disa apartamente bosh kanë përfituar amnisti për vite me radhë, ndërsa buxhetet vendore në Shkup dhe Kumanovë humbasin 10.24 milionë euro çdo vit.
RDM propozon që komunat të mos përdorin blerjen e banesave apo subvencionet e pakontrolluara, të cilat mund të ndikojnë në rritjen e çmimeve. Në vend të kësaj, fondet e mbledhura çdo vit duhet të orientohen drejtpërdrejt dhe në mënyrë transparente për të ndihmuar blerjen e shtëpisë së parë dhe për të ulur natyrshëm çmimet në treg.







