Jose Mourinho ka zbuluar disa nga prapaskenat e ndryshimeve që i dhanë Real Madridit fitoren bindëse ndaj PSV Eindhoven në Champions League. Trajneri portugez, pas një pjese të parë të vështirë, arriti të ndryshojë rrjedhën e ndeshjes me ndërhyrjet taktike dhe zëvendësimet e bëra në pushim.
Mourinho nuk deshi të zbulonte detajet e bisedës me lojtarët në dhomën e zhveshjes, duke përdorur një shprehje pikante për të ruajtur sekretin e skuadrës.
“Dhoma e zhveshjes është si Las Vegas. Çfarë ndodh në Las Vegas, mbetet në Las Vegas. Ne kemi folur, jemi miq dhe kemi biseduar”, u shpreh ai për Movistar.
Megjithatë, trajneri zbuloi se nuk u mbështet vetëm te fjalët për të korrigjuar problemet e pjesës së parë, të cilën e cilësoi shumë të dobët. Mourinho dhe stafi i tij analizuan disa pamje video për t'u treguar lojtarëve gabimet që po bënin.
“Gjeta tri ose katër pamje me analistët, që t'u tregonim lojtarëve çfarë po bënin gabim. Ishte një bisedë me pak fjalë, sepse një pamje vlen sa një mijë fjalë. Pamë tri video, një në mbrojtje dhe dy në sulm. Me pamjet është më e lehtë të kuptosh”, shpjegoi portugezi.
Ndryshimet e trefishta në pushim rezultuan vendimtare për përmbysjen, ndërsa Mourinho sqaroi se ato u bënë për arsye taktike dhe për të shmangur rreziqet. Dy lojtarë kishin kartonë të verdhë, ndërsa disa të tjerë nuk ishin në formën optimale.
“Zëvendësimet ishin një kombinim i disa faktorëve. Kishim dy kartonë të verdhë në një ndeshje me shumë kundërsulme nga kundërshtari. Ishte rrezik. Gjithashtu, dy qendërmbrojtësit që po luajnë më shumë dëshironin të ishin në një formë më të mirë”, tha ai.
Real Madridi ka arritur në kuotën e 15 pikëve në Champions League dhe është në rrugën e duhur për të shmangur fazën e playoff-it. Megjithatë, Mourinho kërkon më shumë nga skuadra, sidomos në fillimin e ndeshjeve.
“Përmbysjet të japin një ndjesi të mirë, por me rreziqet që po marrim, mund të shkojë edhe keq. Nuk dua të kem më këtë pikëpyetje nëse do ta nisim ndeshjen mirë apo keq”, theksoi trajneri.
Pas suksesit europian, Real Madridi do të përqendrohet te sfida e fundjavës ndaj Alaves, me synimin për të ruajtur momentumin pozitiv.
© SYRI.net
Tërhiqet kundërshtarja e Imane Khelif, rikthimi në ring i boksieres algjeriane vihet në pikëpyetje
Guardiola zbulon klubin brazilian që do të donte të drejtonte: Nuk kanë para për të më paguar
Allegri: Mbetet peng që nuk fituam, por është një pikë e rëndësishme. Besoj se De Bruyne do të qëndrojë deri në qershorBëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: