Burgim i përjetshëm për shqiptarin, vrau bashkëshorten në prani të katër fëmijëve në Volos
Gjykata Penale e Trikalasë në Greqi dënoi me burgim të përjetshëm 40-vjeçarin Pandeli Nakoleci, i cili në fund të gushtit 2025 vrau bashkëshorten e tij, Marjola Nakoleci, duke e goditur disa herë me sende të forta në pallatin ku banonte familja në Volos.
Sipas mediave greke, krimi u krye në banesën familjare, në prani të katër fëmijëve të çiftit.
Portali magnesianews.gr shkruan se gjyqi në Gjykatën Penale nisi të enjten e kaluar dhe vijoi deri të hënën, kur u shpall vendimi. I pandehuri u shpall fajtor për vrasje me dashje, të kryer në gjendje të qetë shpirtërore. Krahas burgimit të përjetshëm, ndaj tij u dha edhe një dënim prej një viti burg për mbajtje dhe përdorim të paligjshëm të armëve.
Në sallën e gjyqit ishin të pranishëm edhe katër fëmijët e çiftit, të cilët nuk u thirrën për të dëshmuar gjatë procesit.
Pala e akuzës paraqiti dëshmi për dhunë psikologjike, verbale dhe fizike që 40-vjeçari ushtronte ndaj bashkëshortes 36-vjeçare. Sipas Prokurorisë, i pandehuri e kishte planifikuar vrasjen dhe kishte vepruar me paramendim.
Gjatë mbrojtjes, Nakoleci deklaroi se kishte vuajtur dhe vazhdonte të vuante nga probleme të shëndetit mendor, të cilat, së bashku me sjelljen e bashkëshortes, sipas versionit të tij, e kishin çuar drejt kryerjes së krimit.
Prokurorja kërkoi shpalljen e tij fajtor për vrasje me dashje, të kryer në gjendje të qetë shpirtërore, si dhe rrëzimin e kërkesës për uljen e përgjegjësisë penale për shkak të gjendjes së shëndetit mendor.
Nga ana tjetër, avokati mbrojtës kërkoi që klientit të tij t’i njihej përgjegjësi penale e reduktuar, duke iu referuar një çrregullimi psikik të diagnostikuar dhe gjendjes së rënduar psikologjike, të cilat, sipas mbrojtjes, kishin ndikuar në kryerjen e krimit. Ai deklaroi gjithashtu në gjykatë se 40-vjeçari vazhdonte të merrte medikamente për problemet e shëndetit mendor edhe gjatë qëndrimit në burg.
Në përfundim, gjykata pranoi kërkesën e prokurores, e shpalli 40-vjeçarin fajtor për veprat penale për të cilat akuzohej dhe rrëzoi kërkesën e mbrojtjes për njohjen e rrethanave lehtësuese.






