VLEN ka reaguar sot me një deklaratë ndaj letrës së publikuar dje nga kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, lidhur me zhvillimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Sipas VLEN-it, gjatë periudhës 2008-2018, kur BDI-ja ishte pjesë e qeverisë, u miratuan tre ligje të ndryshme për përdorimin e gjuhës shqipe, por asnjëri prej tyre nuk e vendosi shqipen si gjuhë zyrtare dhe të barabartë me maqedonishten në institucionet shtetërore.
Të lidhura
None found
“Në vitet 2008, 2011 dhe 2018, gjatë tre mandateve qeverisëse, herë në koalicion me OBRM-PDUKM-në dhe herë me LSDM-në, ju dhe partia që drejtoni miratuat tre ligje të ndryshme për gjuhën shqipe. Në raste të ndryshme, atë e cilësuat si ‘gjuhë e 20 përqindëshit’, e shoqëruat me fusnota dhe kllapa, ndërsa në një rast bashkuat dispozita nga ligje të ndryshme për përdorimin e gjuhës në një tekst të vetëm, të cilin e emërtuat ‘Ligji për përdorimin e gjuhës të cilën e flasin më së paku 20% e popullatës së vendit’.
Ky ligj u miratua në verën e vitit 2008, përmes procedurës së shkurtuar në Parlament, pa debat, pa diskutim në seancë plenare dhe pa u përfshirë asnjë amendament apo vërejtje që do ta përmirësonte. Ligji për gjuhën shqipe u miratua në heshtje, ndërsa sot flisni për të me shumë zell”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
Partia vlerëson se, pavarësisht nostalgjisë së Ahmetit për vitet e qeverisjes, mbetet fakt se gjatë asaj periudhe shqipja nuk u bë asnjëherë plotësisht e barabartë me maqedonishten në planin institucional. Sipas saj, përdorimi i çështjes së gjuhës si simbol identitar i shqiptarëve ka ndihmuar në zgjatjen e qëndrimit në pushtet, ndërsa pasojat e zgjidhjeve të paplota janë ende të pranishme.
“Gjatë kohës në pushtet, argumenti juaj i përsëritur ishte ai i kompromisit. Sa herë viheshin në pikëpyetje zgjidhjet që duhej të buronin nga Marrëveshja e Ohrit, ju shpjegonit se ato ishin rezultat i kompromisit mes palëve. Shqiptarëve u thuhej vazhdimisht se ligjet e miratuara për përdorimin e gjuhës përbënin një ‘kompromis të mirë’ dhe se ‘kompromiset nuk janë kurrë absolutisht të kënaqshme për asnjërën palë’.
Në një rast madje keni deklaruar se ‘gjuha shqipe dhe përdorimi zyrtar i saj nuk janë prioritet për zgjidhje’. Për këtë arsye, fusha të rëndësishme si jurisprudenca dhe praktika juridike mbetën pa një zgjidhje të qartë. Sot shqipja nuk është zyrtare as në banka, as në ushtri dhe as në polici”, deklaron VLEN.
VLEN thekson gjithashtu se zgjidhja ligjore e vitit 2019 e la përdorimin e shqipes në institucione në varësi të vullnetit të tyre, duke e bërë atë fakultativ dhe jo detyrim ligjor, çka sipas partisë nënkupton se nuk është gjuhë zyrtare.
“Fatkeqësisht, Ahmeti, zgjidhja e vitit 2019 e trajton përdorimin e shqipes në institucione si zgjedhje vullnetare dhe jo si detyrim. Për këtë arsye, asnjë bankë në Maqedoninë e Veriut nuk pranon korrespondencë në një gjuhë tjetër përveç maqedonishtes. Kjo gjendje nuk kufizohet vetëm te bankat komerciale, të cilat janë entitete private, por vlen edhe për Bankën Popullore, autoritetin më të lartë bankar të shtetit.
Ndërkohë, në kohën kur ministri juaj i Financave nuk merrej me punë në ministri dhe ishte i angazhuar vetëm për të ruajtur postin, Banka Popullore nuk kishte arsye ta konsideronte veten të detyruar të ndryshonte politikën gjuhësore në praktikën e saj”, përfundon reagimi i VLEN-it.








